Report TV -Arrestohet autori i gjashtë për grabitjen në Rinas, 'Daja' nga Kosova
  • 5 years ago
Arrestohet personi i gjashtë për grabitjen brenda aeroportit të Rinasit në datë 9 prill, 'Daja' nga Kosova. Ai është Ragip Haxhiajdini i njohur edhe me mbiemrin Hajdini 50-vjeç nga Peja, ndërsa u arrestua pasditen e sotme tek 'Shkëmbi i Kavajës' në një pronë të tijën. Ai akuzohet si pjesë e grupit që bënë grabitjen në Rinas dhe për strehimin e kreut të bandës Admir Murataj para se të ekzekutohej, pasi ishte në kërkim për grabitjet e tjera në Shqipëri dhe ato në Greqi.

Ishte i penduari i drejtësisë Alkond Bengasi personi që përmendi për herë të parë para hetuesve përfshirjen e një personi nga Kosova me pseudonimin 'Daja'. Me të njëjtin pseudonim, 'Daja' në rrëfimin e tij, Bengasi i referohet edhe Admir Muratajt, tropojanit që u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes.

"Unë shkoja shpesh në banesën e Klementit e cila ndodhej afër shtëpisë time dhe në këtë banesë vinte shpesh edhe Admir Murataj. Po ashtu e kam takuar Admirin edhe me një person tjetër nga Kosova i moshës rreth 50 vjeç, qeros, të cilin Admiri e thërriste me pseudonimin ?Daja?" deklaroi Bengasi para grupit hetimor.

Përpos 'Dajës' nga Kosova Ragip Haxhiajdini, janë arrestuar edhe pesë persona të tjerë; Oltion Veseli dhe Elton Pikli, të dy nga Kruja dyshohet se janë autorë, ndërsa Alkond Bengasi (i penduar i drejtësisë), Saimir Çela dhe Renaldo Sula akuzohen si bashkëpunëtorë.

Në kërkim janë; Talo Çela, Klement Çala, Eldi Çala, Marenglen Hoxha, ish-punonjës policie, Aleks Pepa dhe një tjetër. Ndërkohë që koka e grupit, Admir Murataj nga Tropoja, i arratisur në 2013 nga burgu grek u vra gjatë shkëmbimit me policinë.
Recommended