Rishikohet rritja ekonomike e vitit 2019, nga 3.5% zbret në 2.7%: Shkak tërmeti 26 nëntorit

  • 4 years ago
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka rishikuar zyrtarisht pritshmërinë për rritjen ekonomike të vitit 2019, duke e ulur parashikimin nga 3.5% në 2.7%. Pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit ecuria ekonomike u ngadalësua pasi shumë biznese u dëmtuan si dhe konsumi u ul ndjeshëm, duke qenë se nga lëkundjet u prekën disa qytete përfshirë edhe kryeqytetin që është edhe qendra e zhvillimeve ekonomike.

Përpos këtyre komponentëve pas tërmetit u shtuan ndjeshëm edhe shpenzimet për të përballuar emergjencën e pas tërmetit. Edhe pse të dhënat përfundimtare për të ardhurat e vitit të kaluar ende nuk janë publikuar, referuar të dhënave të kuadrit makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2021-2023, viti që lamë pas do të mbyllet me një rritje ekonomike 2.7%.?Duke marrë në konsideratë performancën e nëntë muajve të vitit 2019 dhe pritshmëritë për tremujorin e katërt 2019, i cili pritet të pasqyrojë edhe efektet e tërmetit që goditi Shqipërinë në muajin nëntor të këtij viti, rritja ekonomike për të gjithë vitin 2019 pritet të jetë rreth 2.7%?, thuhet në vendimin e miratimit të kuadrit makroekonomik.

Rishikimi i rritjes ekonomike ishte i pritshëm dhe u paralajmërua edhe nga ministrja e Financave Anila Denaj në Forumin Ekonomik të Tiranës.

Ndërkohë në 9 muaj të vitit që lamë pas rritja ekonomike ishte në nivelin e 2.95% duke rënë me më shumë se 1 pikë në raport me 2018. Kjo rënie erdhi si pasojë e mungesës së energjisë elektrike që çoi në rritje të importit, përfundimi i investimit TAP si dhe mungesa e të ardhurave nga lojërat e fatit. Po ashtu në vitin e kaluar u rishikua 2 herë buxheti fillimisht për tërmetin e 21 shtatorit dhe më pas për shpërblimin e pensionistëve. Ndërsa për vitin 2020 parashikimi është që rritja ekonomike të arrij në 4.1%, e ndihmuar më së shumti nga rritja konsumi.

Recommended