Report TV - Naureda Llagami merr drejtimin e KLGJ

  • 5 years ago
Organi i ri i drejtësisë që ka zëvendësuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zhvilluar këtë të enjte mbledhjen e saj të parë. Sikurse Këshilli i Lartë i Prokurorisë, edhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor është votuar për kryetarin dhe zëvendës kryetarin. Në krye të këtij organi të drejtësisë u vendos Naureda Llagami, me 7 vota nga 11 votues, ndërsa si zëvendës kryetar u vendos Maksim Coku.

Në cilësinë e kryetares me një mandat pesë-vjecar, Llagami u shpreh se një vëmendje të vecantë do t'i kushtojë integritetit të gjyqtarëve dhe dosjeve që flenë nëpër arkivat e gjykatave.

Vendimi që pritet të marrë tanimë KLGJ është zëvendësimi i kreut të Gjykatës së Pukës, Izet Kadana, pasi ky i fundit u shkarkua po ditën e sotme nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. (Lexo këtu)

Report Tv ka mësuar se mbledhja ku do të zgjidhet kryetari i Gjykatës së Pukës do të mbahet të premten në mesditë. KLGJ pritet të përzgjedhë dhe gjyqtarët që plotësojnë kriteret për t'u bërë gjyqtarë të lartë. Po ashtu pritet që KLGj të vendosë në zbatim dhe gjyqtarin për mediat në të gjitha gjykatat e vendit si dhe të planifikojë buxhetet dhe rekrutojë administratën gjyqësore.

Sipas nenit 86 të ligjit për institucionet e reformës në drejtësi, KLGj ka tagër të bëjë emërimin; caktimin në pozicion; transferimin; ngritjen në detyrë; komandimin dhe riemërimin; vlerësimin e veprimtarisë etike dhe profesionale; vendosjen e masave disiplinore dhe pezullimin; çdo detyrë tjetër të caktuar me ligj për gjyqtarët në vend.

Recommended