Shqipëri, papunësia arrin në 18.3%, 1 në 3 të rinj i papunë

  • 9 years ago
Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, papunësia në Shqipëri ka arritur në kuotën e 18.3%, i cili është niveli më i lartë në më teper se një dekadë.
Nivele mjaft shqetësuese paraqet papunësia tek të rinjtë e cila për grupmoshën nga 15 deri në 29 vjeç arrin në plot 31.3%.
E thënë ndryshe në këtë grupmoshë 1 në 3 të rinj është i papunë.
Sipas të dhenave të INSTAT në tremujorin e pare të vitit 2014, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë nga 15 deri ne 64 vjeç është 58.6%.
Për femrat shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 48.7% dhe për meshkujt 68.8%.
Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013 shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat është rritur me 1.1 pikë përqindje, ndërsa për meshkujt ka një rënie prej 1.5 pikë përqindje.
Të dhënat e publikuara nga Anketa e Forcave të Punës së Institutit të statistikave tregojnë se numri i të papunëve të moshës 15-64 vjeç ka arritur ne afro 202.000 persona.
Për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë është më e lartë për meshkujt sesa për femrat, përkatësisht me 19.6 dhe 16.4%.
Pavarësisht sinjaleve se ekonomia mund të nisë rimëkëmbjen gjatë këtij viti, tregu i punës vazhdon të japë shenja gjithnjë e më të forta krize.
Sipas ekspertëve kërkesa e dobët konsumatore dhe shfrytëzimi i dobët i kapaciteteve prodhuese po ulin ndjeshëm punësimin, i cili vazhdon rënien prej 9 tremujorësh radhazi.
Persa i përket sektorëve më numrin më të larte të të punësuarve mund të përmendet bujqësia me 43% dhe shërbimet me rreth 40% të totalit. Një tjetër tregues mjaft negativ për ekonominë shqiptare është pjesëmarrja e ulët në tregun e punës.
Sipas përllogaritjeve të INSTAT vetëm 58% e individëve në moshë pune dhe të aftë për punë janë aktivë në tregun e punës.
Anketa Tremujore e Forcave të Punës është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve.
Objektivi kryesor i saj është të japë informacion mbi situatën e tregut të punës në Shqipëri i cili përdoret për të hartuar politikat e tregut të punës dhe për vlerësimin e efektshmërisë së tyre, si dhe për të kënaqur nevojat e përdoruesve të statistikave për të dhëna të përditësuara mbi dinamikën e tregut të punës.
Për më shumë klikoni në http://www.oranews.tv/