PS krijon koalicionin me 21 parti, Balla: Me ne gjysma e partive të regjistruara në KQZ

  • 5 years ago
Partia Socialiste do të shkojë në zgjedhjet e 30 qershorit në koalicion. Mesditën e sotme sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla ka zhvilluar një takim, ku është firmosur marrëveshja me 21 parti aleate, si ajo e Skënder Gjinushit, Paskal Milos, Gjet Ndojit etj.

Ky koalicion do të njihet ashtu si kurse në zgjedhjet e kaluara si "Aleanca për Shqipërinë Europiane", por ndryshe nga 2015, nuk do të identifikohet si "ASHE", por "ASE". Në përfundim të mbledhjes, Balla tha se është ruajtur ky emër, pasi me të PS ka fituar zgjedhjet e kaluara. Para gazetarëve ai tha se pjesë e koalicionit është gjysma e partive të regjistruara në KQZ për zgjedhjet e 30 qershorit.

Gazetarja Esioni Konomi ka siguruar marrëveshjen e PS me aleatët e saj në të cilët janë të pasqyruara qartë parimet e këtij koalicioni dhe angazhimet e qeverisë. Ajo që bie në sy në këtë marrëveshje është se aleatët autorizojnë kreun e qeverisë Edi Rama që të zgjerojnë koalicionin pa pasur nevojë për miratimin me shkrim të partive aleate, e ndërsa bëhet e ditur se qëllimi i saj është maksimalizimi i rezultatit zgjedhor. Gjithashtu, theksohet se "Dhuna mbi zgjedhjet dhe përsëritje e skenarëve të vitit ?96 mbi vullnetin e zgjedhësve nuk do të tolerohet jo vetëm nga qytetarët dhe organet shtetërore, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar".

Nga 21 partitë që kanë nënshkruar me PS, bëhet e ditur se përveç partisë SocialDemokrate të Skënder Gjinurit, partitë e tjera nuk janë parlamentare. Që do të thotë kanë qenë pjesë e spektrit politik, por nuk kanë arritur që të marrin mandate parlamentare në zgjedhjet e kaluara.

Marrëveshja është nënshkruar dy ditë para se të përfundonte afati i fundit i çdo partie për t'u regjistruar në KQZ si koalicion. Më konkretisht, afati ishte ditën e nesërme, por për shkak se është pushim zyrtar, është shtyrë deri të enjten, më 2 maj.

Në zgjedhjet 2019, PS nuk do ketë në krah aleaten e saj të zgjedhjeve të kaluara, LSI. Sot, kjo parti e drejtuar nga Monika Kryemadhi i është bashkuar opozitës.

Recommended