Report TV - Aksident në Fier, makina me shpejtësi mbi trotuar, përplas për vdekje dy kushërinjtë
  • 6 years ago
FIER-Dy të rinj kanë humbur jetën nga një aksident mbrëmjen e sotme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 në fshatin Arapaj të Roskovecit.

Sipas të dhënave nga gazetari i Report Tv në Fier, Kristaq Thano një makinë që po lëvizte me shpejtësi ka dalë nga rruga duke përfunduar mbi trotuar ku kishin ndalur dy të rinjtë duke i marrë përpara dhe përfundoi në kanalin anësor të rrugës.Përplasja ka qenë fatale dhe dy kushërinjtë e parë, Amarildo Dogani dhe Festim Dogani 21 dhe 29 vjeç, humbën jetën në vend. Report Tv siguroi pamjet nga vendi i ngjarjes ku duket makina që përplasi të rinjtë dhe njollat e gjakut.Ndërkohë që drejtuesi i makinës tip "Volksëagen" me targa AA 709 UH Amarildo Çalamani pasi shkaktoi aksidentin doli nga makina dhe tentoi që të largohet, por është kapur nga policia duke u shoqëruar në komisariat.

Policia ka nisur hetimet, ndërsa nga të dhënat e para nga grupi hetimor mësohet se shkak ka qenë shpejtësia me të cilën po lëvizte makina dhe mungesa e ndriçimit në rrugë.

Në Shqipëri në javët e fundit janë shënuar shumë aksidente me vdekje. Sipas një raporti të INSTAT në 7 muajt e fundit në vendin tonë kanë humbur jetën mbi 120 persona dhe shumë të tjerë janë plagosur nga aksidentet që janë regjistruar.
Recommended