Report Tv-Aksident në Fier, makina me shpejtësi mbi trotuar, përplas për vdekje dy kushërinjtë
  • 6 years ago
FIER-Dy persona kanë humbur jetën nga një aksident mbrëmjen e sotme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 në fshatin Arapaj të Roskovecit.

Sipas të dhënave nga gazetari i Report Tv në Fier, Kristaq Thano një makinë ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka marrë përpara dy këmbësorët.

Përplasja ka qenë fatale dhe dy personat, Amarildo Dogani dhe Festim Dogani humbën jetën në vend. Dy personat që humbën jetën banonin në fshatin Arapaj, ndërsa ishin kushërinj.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet, ndërsa nga të dhënat e para nga grupi hetimor mësohet se shkak ka qenë shpejtësia me të cilën po lëvizte makina dhe mungesa e ndriçimit në rrugë.

Ndërkohë që drejtuesi i makinës që shkaktoi aksidentin e rëndë është ndaluar nga policia. Në Shqipëri në javët e fundit janë shënuar shumë aksidente me vdekje.

Sipas një raporti të INSTAT në 7 muajt e fundit në vendin tonë kanë humbur jetën mbi 120 persona dhe shumë të tjerë janë plagosur nga aksidentet që janë regjistruar.
Recommended