Report TV - Rezoluta, Kuvendi urdhëron KQZ të hetojë kontratat e PD

  • 6 years ago
Pas shkrimit investigativ të medias amerikane Mother Jones se PD është financuar gjatë vitit 2017 me më shumë se gjysmë milioni dollar nga kompani ruse, Kuvendi i Shqipërisë është vënë zyrtarisht në lëvizje.

Komisioni i Ligjeve, pasi shqyrtoi raportin vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka hartuar rezolutën për punën e këtij komisioni, ku lihen detyrat për vitin 2018. Në dokumentin e siguruar nga Report TV, rezulton se Kuvendi i kërkon KQZ-së të veprojë specifikisht në hetimin e kontratave të financimit të kundraligjshëm brenda dhe jashtë vendit.

?KQZ duhet të thellojë dhe përmirësojë shqyrtimin administrativ të verifikimit të financimeve të fushatave zgjedhore, për shkak se ndërkohë nga autoritetet e huaja që kanë funksione verifikimi, janë bërë publike dokumente dhe kontrata të reja që nuk janë shqyrtuar më parë nga KQZ?,-thuhet në projektrezolutë.

Por Kuvendi, duke qenë i vetëdijshëm për kapacitetet e kufizuara që KQZ ka për ndjekjen e parave të financimeve kryesisht jashtë vendit, sugjeron bashkëpunim me institucione të tjera hetuese.

?KQZ duhet të hartojë metodologjinë e kontrollit dhe verifikimit të financimeve të partive politike duke verifikuar edhe mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me autoritetet përgjegjëse që kontrollojnë pastrimin e parave dhe financimet e kundraligjshme?,-thuhet në dokument.

Kuvendi shpreh gatishmërinë ta ndihmojë KQZ-në me burime njerëzore e financiare nëse i kërkohen shtesë në këtë drejtim. Rezoluta pritet të miratohet mesditën e së mërkurës, dhe pritet të hapë debat mes mazhorancës dhe opozitës, pikërisht për këto dy detyra që prekin Partinë Demokratike.

Recommended