Report TV - Lëvizja e mazhorancës/ Dhuna e PD-LSI, Kuvendi mund të mblidhet jashtë selisë
  • 5 years ago
Seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë mund të zhvillohen jashtë selisë së Parlamentit. Kjo është lëvizja e radhës e mazhorancës qeverisëse me sa duket për të evituar përplasjet me opozitën joparlamentare në të ardhmen, e cila gjatë sesionit të kaluar ka rrethuar disa herë me militantë e saj Parlamentin, madje duke sulmuar fizikisht edhe deputetët dhe ministrat. Tashmë, deputetët mund të mblidhen në seancë për miratimin e ligjeve dhe për të diskutuar sipas agjendës së vendosur nga Konferenca e Kryetarëve, në vende të ndryshme, ashtu siç mblidhet edhe qeveria. Ky parashikim është reflektuar në vendimin e Kuvendit për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, vendim i cili është miratuar në seancën e fundit të sesionit të kaluar, 19 korrik 2019, me 106 vota pro. Në krye të Rregullores së Kuvendit është shtuar një pjesë e re, e cila përpos të tjerave parashikon që ?Kuvendi ose organet e punës së tij mund të mbajnë mbledhje edhe jashtë selisë së Kuvendit. Konferenca e Kryetarëve cakton vendin kur mbledhja e Kuvendit bëhet jashtë selisë, ndërsa për komisionet/nënkomisionet parlamentare, vendi caktohet nga kryesia e komisionit?. Gjatë sesionit të kaluar, sidomos gjatë periudhës shkurt-qershor, pas Kryeministrisë, Parlamenti ishte epiqendra e protestave të dhunshme të opozitës. Në disa raste, shumica ka zhvendosur orarin e zhvillimit të seanca, për të evituar konfrontimet. Ndërkaq, gjatë ditëve të fundit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar protesta edhe më të dhunshme, nëse nuk plotësohen kushtet e shpallura për largimin e kryeministrit Edi Rama, qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.
Recommended