KQZ rrëzon kërkesën e PD-LSI për komisionerë, anëtarët e mazhorancës: Nuk janë subjekt zgjedhor
  • 5 years ago
TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për të pasur komisionerë së bashku me LSI-në në procesin zgjedhor të 30 qershorit 2019, të cilin ata e kanë bojkotuar duke mos pasur asnjë kandidat për kryetar bashkie. Katër anëtarët e propozuar nga mazhoranca në KQZ, thanë se PD dhe LSI nuk janë subjekt zgjedhor, dhe duke mos pasur interesa të drejtpërdrejta në zgjedhje nuk kanë arsye për të pasur komisionerë. Votën pro tyre e dha vetëm kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, i cili e argumentoi korrekte kërkesën e dy partive joparlamentare, LSI-së dhe PD-së.

"Kolegët e mi fokusim më shumë moral, se sa ligjor. Pasi kemi kaluar gjithë këto hallka ligjore. Ligji thotë se anëtarët e emëruar qëndrojnë deri në emërimin e anëtarëve nga partitë politike, sipas këtij neni zëvendësimi duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve. Nëse nuk janë parti politike, ti themi gjykatës të sjellë nëse këto janë parti politike apo jo. Përvec një lloj moraliteti nëse është apo jo qëllimi i duhur, i keq apo jo...le të ma thonë nëse kjo gjë ndalohet. Nëse ka një nen në ligj që ndalon kërkesën e partive. Partitë po zëvendësohen me qytetarë, si, ku? Ne po shkojmë një gjë më të avancuar. Po një qytetar kush do ta propozojë? Unë them se kërkesa është korrekte dhe duhet të pranohet", tha Zguri.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso në përfundim të mbledhjes, para gazetarëve, tha se ky vendim i paligjshëm sipas tij, do të ankimohet. Vendimi i KQZ-së mund të ankimohet në Kolegjin zgjedhor, brenda 5 ditëve.

"Opozita e bashkuar do të ndjekin të gjithë hapat ligjor për ta kundërshtuar këtë vendimmarrje të paligjshme dhe do ti drejtohemi ndërkombëtarëve, misionit të OSBE/ODIHR lidhur me këtë shkelje të ligjit, do të bëhen denoncimet me emër me mbiemër duke filluar nga anëtarët e KQZ. Mazhoranca ka katër anëtarë në KQZ, ndërkohë që sipas ligjit i takojnë 2 anëtarë", tha Ivi Kaso.

PD dhe LSI, edhe pse jo parti parlamentare, kërkuan të shfrytëzonin atë që e quajtën si të drejtë ligjore nisur nga rezultati i zgjedhjeve të 2017-ës për të pasur komisionerë në zgjedhjet e 30 qershorit, edhe pse ato i kanë bojkotuar zgjedhjet dhe nuk kanë asnjë kandidat për kryetar bashkie.
Recommended