Report TV - Albin Kurti në Tiranë: Na duhet shengen shqiptar, Rama: S'ka pa shengenin ballkanik
  • 4 years ago
TIRANE - Albin Kurti zgjodhi Shqipërinë për vizitën e tij të parë jashtë Kosovës, si kryeministër. Një takim "i përzemërt e mikpritës" ishte ai me kryeministrin Edi Rama siç Kurti u shpreh, që çeli vizitën e tij zyrtare në Pallatin e Brigadave në Tiranë. Të dy kryeministrat, nga sa u shprehën në një konferencë për mediat, ranë dakord se lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave pa barriera mes dy popujve shqiptarë është prioritet i prioriteteve, por tema që i ndan është ajo të cilën thanë se nuk e prekën shumë gjatë takimit kokë më kokë mes tyre: Mini-shengeni Ballkanik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se takimi me Ramën ishte për temat që do trajtojmë në të ardhmen, e ky projekt duket të jetë shumë larg prioriteteve pasi fokusi duhet vënë tek "makro shengeni shqiptar", theksoi shefi i qeverisë së Kosovës.Ky ishte takimi ynë i parë ka edhe shumë tema që do t'i trajtojmë në të ardhmen, kjo ishte një temë që e trajtuam shkurtimisht meqënëse takimi ynë ishte më parë për makro-shengenin shqiptar, sepse për mini-shengenin ballkanik", tha Kurti.

Por ndryshe mendon kryeministri Edi Rama, i cili la të kuptohet se pavarësisht se nuk ishte cekur shumë si bisedë në takimin mes tij dhe Kurtit para konferencës, qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar: "Nuk ka makro shengen shqiptar, pa mini-shengen ballkanik"

"Makro-shengeni shqiptar është i lidhur me shengenin rajonal, se nëse ne jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit dhe nëse jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, dhe do të bëjmë çmos të jemi, na hapet rruga që është e mbyllur prej të gjitha viteve, për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve. Çka deri dje ishte e paimagjinueshme për shkak të rezistencës jo vetëm të Serbisë por edhe vendeve të tjera. Sot është në dorën tonë, se këtë rezistencë e kam thyer. Na takon ne të bëjmë më të mirën dhe të mos humbasim kohë. As Serbia askush tjetër nuk na thotë që po bëjmë Shqipërinë e madhe nëse heqim kufirin", tha Rama.

Por ndryshe nga ndasitë për mini-shengenin ballkanik, të dy kryeministrat ishin në sinkron me njëri-tjetrin për një bashkëpunim të ri, më të fuqishëm dhe me shpejtësi të re mes Shqipërisë dhe Kosovës, për të lehtësuar jetesën e shqiptarëve mes dy kufijve. Kryeministrat paralajmëruan mbajtjen e mbledhjes së radhës së përbashkët të qeverisë, dhe për këtë zgjodhën qytetin e Shkodrës. Rama dhe Kurti thanë se do të ngrihet një komision ndërshtetëror, në përbërje të të cilit do të ketë ministra dhe deputetë për të monitoruar zbatimin e 77 marrëveshjeve të arritura, por edhe për të adresuar problematikat dhe prioritetet që duhen ndjekur në të ardhmen.

Më tej, pritet që Kurti në Tiranë të zhvillojë takime me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore, Presidentin e Republikës Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj. Sipas axhendës Kurti do të zhvillojë edhe një takim me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha në selinë e PD.
Recommended