Balla për lobimin e PD: Basha subjekt i paketës ligjore kundër pastrimit të parave

  • 5 years ago
Ditën e sotme kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha edhe pse ishte i thirrur nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me lobimin e bërë në fushatën zgjedhore në SHBA ku u shpenzuan qindra mijëra euro, nuk është paraqitur për tu njohur me akuzën.

Në lidhje me mosparaqitjen e kreut të PD-së në Prokurori ka reaguar edhe Taulant Balla.

"Lulzim Basha i vetmi politikan që sa herë thërritet nga Prokuroria nuk paraqitet. Lulzimi për fat të keq është subjekt i paketës ligjore të luftës kundër pastrimit të parave", është shprehur kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit.

Sipas Ballësh në SHBA kanë hyrë përmes 'firmës' së Lulzim Bashës 1 milion dollarë. Ai shton se fakti që ka një hetim për këtë çështje tregon se Basha është më së pakti i përdorur dhe më së shumti pjesë e një skeme financimesh dhe transfertash të paligjshme.

Duke folur për historinë e dosjes së përgjimeve, Balla tha se në asnjë vend të botës përgjimet nuk janë vendime fajësie apo pafajësie.

"Të gjitha përgjimet në çdo rast duhet të përdoren në mënyrë të paanshme nga Prokuroria dhe kjo e fundit vendos nëse ka prova për të akuzuar dikë dhe janë gjykatat ato që vendosin nëse dikush është i fajshëm apo pafajshëm. Është shqetësuese dhe se hetimet për dosjen e telenovelës së përgjimeve janë vonuar dhe si është e mundur që fragmente, copa, prerje mbivendosje dalin nëpër media. Kjo është qartësisht lojë e pastër politike dhe që Prokuroria jo vetëm që duhet ti shkojë deri më fund hetimeve, por duhet të hetojë se kush i ka përdorur ato përgjime për shantazh", u shpreh Balla.

Në përfundim të fjalës së tij Balla i kujtoi Lulzim Bashës se për fat të keq të tij, ai është subjekt i paketës ligjore të luftës kundër pastrimit të parave.

Recommended