Mbërrin në atdhe trupi i pajetë i major Tanushit, në ceremoninë pritëse edhe djali i vogël

  • 5 years ago
Kur e përcollën disa muaj më parë në Letoni, familjarët e Klodian Tanushit nuk e kishin menduar kurrë, se ajo do të ishte hera e fundit që po e takonin. Të veshur me të zeza, mes lotëve dhe dhimbjeve, ata dolën sot për të pritur në aeroport trupin e tij të pajetë, në një arkivol të mbuluar me flamurin kombëtar, në një ceremoni të denjë për një "Dëshmor të Kombit".

Pranë familjes, të pranishëm ishin edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, kolegë ushtarakë nga të gjitha forcat, si dhe familjarët e dëshmorit të atdheut. Sot ministrja Xhaçka u ka dorëzuar edhe dekoratën e 'Dëshmorit të Kombit'.

Pasi u përcoll me nderimet më të larta ushtarake nga kolegët e tij, trupi i pajetë i Tanushit mbërriti me të njëjtin avion ushtarak si nëntetarja Zarife Hasanaj në Aeroportin ?Nënë Tereza?. Homazhet për nder të tij dhe ceremonia shtetërore do të zhvillohet ditën e enjte tek Muzeu Historik Kombëtar. Majori do të prehet në paqe në "Varrezat e Dëshmorëve", pranë dëshmorëve të tjerë.

Tanushi nuk mundi që t'i mbijetonte plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit në Letoni. Ai ishte i shtruar në spitalin e Rigës në gjendje të rëndë, e ndërsa u nda nga jeta mbrëmjen e së premtes më 10 maj. Majori la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë, më të voglin vetëm një vjeç.

Recommended