Shpallet 'Dëshmor i Atdheut' nëntetarja Hasanaj! Mbërrin në atdhe trupi i ushtarakes shqiptare
  • 5 years ago
Shpallet 'Dëshmor i Atdheut' nëntetarja Zarife Hasanaj.

Trupi i pajetë i dëshmores së atdheut, nëntetare Zarife Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni, mbërriti në atdhe.

Arkivoli me trupin e nëntetares Hasanajt, i mbuluar me flamurin kombëtar, u transportua me avion ushtarak nga Letonia dhe shoqërohej nga kolegët e saj shqiptarë, kanadezë dhe letonezë të grup-batalionit të NATO-s.

Për të pritur trupin e nëntetares Hasanaj, në Aeroportin ?Nënë Tereza? dolën ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, deputetë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, atashetë e huaj ushtarakë në vendin tonë, kolegë ushtarakë nga të gjitha forcat, si dhe familjarët e dëshmores së atdheut.

Pas pritjes me nderim ushtarake në aeroport, trupi i pajetë i nëntetare Hasanajt u dërgua për në banesën e saj, për të vijuar me ritet tradicionale familjare.

Homazhet për dëshmoren e atdheut dhe më pas ceremonia shtetërore, do të zhvillohen ditën e premte në Pallatin e Kongreseve nga ora 10:00 - 12:30.

Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, nëntetare Hasanajt do t?i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht.

Një incident tragjik gjatë çmontimit të një mine, i mori jetën ushtarakes shqiptare, Zerife Hasanajt, pjesë e misionit të NATO-s në Letoni, ndërsa dy ushtarakë mbetën të plagosur, major Klodian Tanushi 39 vjeç në gjendje të rëndë dhe rreshter Julian Kapaj 41 vjeç, jashtë rrezikut për jetën. Zarife Hasanaj humbi jetën gjatë asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive të paplasura.
Recommended