Report TV - Trafikantët ndiqen në det, braktisin gomonen me 1 ton kanabis në grykëderdhjen e Vjosës

  • 5 years ago
Gomonia me 45 thasë me drogë u pikas mëngjesin e së martës në det të hapur. Policia nisi ndjekjen e saj dhe njëkohësisht u lajmërua Guardi di Financa. Dy trafikantët që drejtonin gomonen pasi u pikasën në det, zgjodhën që të mos vijonin rrugën drejt Italisë, por u kthyen në grykëderdhjen e Lumit Vjosa.

Aty skafistët braktisën gomonen dhe u larguan në këmbë drejt pyllit. Policia sekuestroi gomonen bashkë me drogë. Burime nga Policia e Vlorës thanë për Report TV se dy ditë më parë në zonë është parë një traktor me karrelë, i cili dyshohet se ka transportuar kanabisin. Kjo bëri që Policia të niste kontrollet dhe mëngjesin e sotëm zbuloi gomonen me dy motor të modifikuar dhe e paregjistruar.

Përveç gomones janë sekuestruar edhe dy makina që dyshohet se janë përdorur nga skafistët. Thasët ne kanabis janë transportuar me një kamion drejt Policisë së Fierit, ku do të behet peshimi për të mësuar sasinë e saktë të drogës.

Trafikantët kanë zgjedhur që të transportojnë drogën për shkak edhe të kushteve atmosferike. Kur deti është me dallgë radarët e vendosur në Sazan dhe në Darzezë e kanë të vështirë të kapin gomonet në det. FNSH e Fierit dhe Policia e Rendit janë duke kryer kontrolle në zonë për arrestimin e dy trafikatëve. Dyshohet se ata janë larguar drejt fshatrave të Levanit.

Recommended