Report TV - Ekskluzive/ Raporti sekret, DSIK: Artur Malaj korrupsion me gjyqtaren Klodiana Gjyzari

  • 6 years ago
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dërguar një raport sekret pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit bazë të Vetingut, duke theksuar se gjyqtari i Apelit në Tiranë, Artur Malaj, dyshohet se është përfshirë në disa praktika korruptive, në dy raste, në bashkëpunim edhe me gjyqtaren e Vlorës, Klodiana Gjyzari. Sipas raportit, gjyqtari i Malaj ka marrë para në këmbim të vendimeve të njëanshme, ndërsa paratë e korrupsionit i ka investuar në fushën e ndërtimit përmes personave të tretë. Raporti i zbardhur nga Shqiptarja.com është hartuar nga grupi i punës i përbërë nga përfaqësues të Shërbimit Informativ Shtetëror, DSIK dhe Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjetjet e DSIK i përkasin kohës kur gjyqtari ishte kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Ky raport është hedhur poshtë si i pasaktë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin Artur Malaj. Ndërkaq, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, me anë të një rekomandimi, ka arritur në konkluzionin se gjyqtari Artur Malaj duhet të shkarkohet nga detyra, me arsyetimin se nuk ka treguar një nivel të besueshëm për pasuritë dhe aftësitë profesionale. ONM i kërkoi Komisionerit Publik të ankimojë vendimin e KPK. Nga ana e tij, Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rrëzimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin e gjyqtarit nga detyra. Aktualisht çështja po shqyrtohet në Kolegjin e Apelimit, i cili do të thotë fjalën e fundit.

Recommended