Ora News - Lindjet cezariane, Librazhdi mban rekordin me 67% të lindjeve me operacion

  • 6 years ago
Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
40% e lindjeve në Shqipëri kryhen përmes operacionit. Trendi ka pësuar rritje me 2%, ndërsa listën e kryeson qyteti i Librazhdit ku 67% e grave shtatzënë kanë zgjedhur lindjen cezariane.

Një në pesë fëmijë vjen në jetë përmes lindjes cezariane. Studimet tregojnë se ka një trefishim të lindjeve me operacion në nivel global, ndërsa ky fenomen është në rritje edhe në Shqipëri.

Rezulton se përgjatë vitit 2017, 40% e lindjeve janë kryer me intervent, duke pësuar një rritje me afro 2% krahasuar me një vit më parë.

Arben Rrugia: Një problematikë tjetër që ka çuar në rritjen e lindjeve me operacion është obeziteti. Kemi gjithashtu edhe efektin që sjell lindja e parë me operacion, ku edhe lindjet e tjera shkojnë drejt ndërhyrjes me operacion.Të gjitha gratë mendojnë se lindja me operacion është një lindje e thjeshtë dhe pa problematika, megjithatë ajo ka problematikat e saj. Është një ndërhyrje, është një intervent që mund të shoqërohet dhe me komplikacione, të cilat mund të jenë dhe fatale.

Listën e kryeson Librazhdi, ku 67% grave aty kanë zgjedhur operacionin dhe jo lindjen natyrale pasuar nga Saranda dhe më pas Berati.

Ndërsa Dibra është i vetmi qark që në katër vitet e fundit ka shënuar një rënie te lindjeve cezariane.

Por drejtori i Maternitetit ?Koço Gliozheni?, Arben Rrugia, thotë se edhe në Tiranë ka një ndërgjegjësim të grave shtatëzënë për lindje natyrale.

Arben Rrugia: Ne përballojmë fluksin më të lartë të lindjeve problematike dhe ky është dhe një nga shkaqet që sjell dhe një rritje pak më tepër mbi nivelin kombëtar. Por këtë vit, në maternitetin tonë nga 40.5% që ishim vitin e kaluar, jemi diku tek 38.5%. Rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është i tillë që numri i lindjeve me operacion nuk duhet të jetë më i lartë se 15%.

Drejtori Arben Rrugia thotë se përfitimet ekonomike të lindjes cezariane, emancipimi i grave si dhe fekondimi artificial, janë disa nga shkaqet që ky fenomen ka pësuar rritje në nivel global, por nuk përjashtohen as rastet kur kjo ndërhyrje kryhet në rastet kur rrezikohet shëndeti i nënës apo bebit.

Brazili është shteti që mban rekordin e lindjeve cezariane me 78 % ,ndjekur nga Kina e më pas Turqia.

Ndërsa vendet në të cilat këto lindje janë në nivel të ulët janë Islanda, Finlanda dhe Holanda.


Për më shumë lexoni në:
http://oranews.tv/article/lindjet-cezariane-librazhdi-mban-rekordin-me-67-te-lindjeve-me-operacion

Recommended