Report Tv- Merrnin para për të regjistruar pronat, në pranga drejtori i hipotekës dhe punonjësja
  • 6 years ago
SHKODËR- Është arrestuar brenda zyrës së tij, drejtori i Hipotekës, Zamir Leka. Policia e Shkodrës njofton se Leka është arrestuar pas një urdhri të prokurorisë, pasi Gjykata e Shkodrës kishte pranuar kërkesën për masë sigurie arrest me burg. Bashkë me Lekën është arrestuar edhe punonjësja e ZRVPP, Frida Mirashi. Në vendimin e Gjykatës për vendosjen e masës së arrestit thuhet se Leka ka pranuar të marrë para nga persona të tjerë në këmbim të regjistrimit të pronave.

Sipas burimeve të Report Tv, drejtori ndodhej në zyrat e Hipotekës në momentin e arrestimit. Leka është arrestuar në orën 15:50, 10 minuta para përfundimit të orarit zyrtar të punës. Policia e ka prangosur, ndërsa një patrullë ka bërë shoqërimin e tyre në Komisariat. Mbi Lekën dhe Mirashin rëndojnë akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës gjatë kohës që kanë qenë në detyrë në këtë hipotekë.

Arrestimi i titullarit dhe punonjëses lidhet drejtëpërdrejt me arrestimin e 5 ditëve më parë, ku u arrestuan një jurist dhe një specialist i Hipotekës Shkodër, bashkë me sekserin dhe bashkëpunëtorin. Hetimet kanë nisur që më 30 gusht dhe janë finalizuar në aksionin e 21 shtatorit dhe në arrestimet e sotme.
Recommended