Ora News - Bashkimi doganor, ministri i Kosovës: Ka vullnet politik, por duhet harmonizim ligjor

  • 6 years ago
Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT

Ministri i Inovacionit të Kosovës, Besim Beqaj në një intervistë për Ora News tha se ka vullnet politik për bashkimin doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës, por ky proces kërkon ende shumë angazhim.

Sipas Beqajt, ajo që është e rëndësishme është se mes dy vendeve ka bashkëpunim në nivel doganor, por duhet një harmonizim i politikave ekonomike në përputhje edhe me politikat e BE.

Ai renditi disa faktorë që çojnë dy vendet drejt bashkimit doganor.

Besim Beqaj: Bashkimi doganor në nivel europian njihet kur shkrihen procedurat e dy shteteve administrative në një sistem të vetëm doganor. Kjo kërkon goxha angazhim, kërkon harmonizim ligjor. Ka vullnet politik për një veprim të tillë. Duhet të analizohet në detaje efekti ekonomik i bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që me veprime të tilla mos pengohet biznesi, por vullneti politik ekziston për ta trajtuar si çështje dhe pas analizave të detajuara, që duhet të bëhen me biznesin duhet të merren hapat e tjerë. Ajo që është e rëndësishme është se kemi bashkëpunim në nivel të doganave. Kosova ka avancuar shumë në harmonizimin e saj me rregullat e vendeve të tjera, Shqipëria ka pika të përbashkëta me vendet e tjera. Pse jo, të fillohet me kontrolle të përbashkëta dhe më pas të vazhdohet me veprime të tjera. Këto kanë filluar në një farë konteksti, por që realisht harmonizimi i politikave ekonomike kërkon angazhim shumë më substancial sesa veprimet politike momentale. Pra, duhet të ketë një pëlqim për efektet ekonomike në mes të dy shteteve, duhet të analizohet interesi ekonomik i dy bizneseve të vendeve tona, pastaj duhet të analizohet e gjithë paketa e legjislacionit që duhet të ndryshohet dhe duhet të jemi në harmoni edhe me vendet dhe politikat e BE sepse të gjithë aspirojmë drejt BE.

Për më shumë lexoni në: http://www.oranews.tv/article/bashkimi-doganor-ministri-i-kosoves-ka-vullnet-politik-por-duhet-harmonizim-ligjor

Recommended