Gjykata italiane liron 'financierin' e bandës së Habilajve, arrest shtëpie për Nazer Seitin

  • 6 years ago
ITALI-Gjykata e Katanias ka vendosur të lirojë nga burgu Nezar Seitin, i njohur ndryshe si ?financeri? i grupit Habilaj. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Seiti kishte dorëzuar një kërkesë pranë Gjykatës së Katanias për mungesë provash.

Pas shqyrtimit të dosjes, gjykata vendosi sot të lehtësojë masën e vendosur ndaj Seitajt, duke e liruar nga ?arrest me burg? në ?arrest shtëpie?. Lajmi konfirmohet për Report Tv edhe nga avokati i Seitit, Detar Hysi.

Nezar Seiti është një nga personat e akuzuar si pjesë e bandës së Habilajve. Seiti njihet ndryshe si financieri i grupit, pasi bënte shpërndarjen e parave mes anëtarëve të bandës, para këto të fituara nga trafiku i kanabisit.

Seiti u ekstradua në Itali në datën 25 janar 2018, pak javë pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane. Seiti u shpall në kërkim në tetor, pak javë pasi anëtarët e grupit të Habilajve u ndaluan nga policia.

Gjykata e Katanias kishte lëshuar një urdhër arresti për të dhe gjykata shqiptare lejoi ekstradimin e tij, pas arrestimit të tij në Vlorë. Ekstradimi i tij hapi një tjetër debat në politikën shqiptare se a duhet të ishte ekstraduar Nezar Seiti, përsa kohë që po hetohej edhe në Shqipëri.

Në datën 4 shtator pritet të vendoset përfundimisht fati i Seitit, pasi mësohet se është apeluar edhe masa e arrestit shtëpiak dhe pritet të vendoset nëse Seiti do të rikthehet në burg, apo do të jetë i lirë.

Grupi kriminal ishte në përgjim që prej vitit 2013, dhe në dosjen e prokurorisë së Katanias, përmendej edhe ish-ministri Tahiri nga ana e grupit kriminal. Habilajt kanë përdorur emrin e ministrit si të përfshirë në trafikun e kanabisit.

Recommended