Report TV - Djali i ish-deputetit aksidenton për vdekje policin, 2 të plagosur

  • 8 years ago
Një efektiv policie ka mbetur i vdekur si pasojë e një aksidenti në Kamzë, në bulevardin ''Blu'' përballë shkollës ''Ibrahim Rugova''. Viktima e këtij aksidenti është Ervin Haxhia, 42 vjeç, efektiv në komisariatin nr.5.

Nga informacionet paraprake raportohet se një automjet tip fuoristradë me targë TE 8788T ka përplasur nga mbrapa furgonin e patrullës së policisë i cili ishte i parkuar.

Nga kjo përplasje kanë mbetur të plagosur gjithashtu edhe 2 efektivë të tjerë policie Besmir Voi dhe I.Hoxha të cilët ndodhen në spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën.

Në këtë aksident është përfshirë edhe një tjetër automjet tip BMW me targë AA 231 KU e cila është goditur nga furgoni i policisë. Automjeti BMW ndodhej i parkuar në rrugë pa njerëz brenda.

Sipas burimeve nga policia bëhet me dije se është shoqëruar në komisariat drejtuesi i mjeti Arnold Kola, 22 vjeç i cili ka marrë lëndime të lehta nga përplasja.

22-vjeçari që shkaktoi aksidentin është djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste Ndue Kola të qarkut Shkodër i zgjedhur në vitin 2009.

Kola udhëtonte më 140km/h. Shkak i këtij aksidentit dyshohet shpejtësia jashtë normave të lejuara dhe gjendja e dehur e 22-vjeçarit gjatë kohës që drejtonte automjetin.

Arnold Kola është ndaluar edhe në vitin 2015 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Të plagosurit janë vizituar në spitalin e Traumës nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Recommended