Report TV - Vrasja e Çollakut, arrestohet në Rinas i dyshuari, do ikte në Itali

  • 8 years ago
TIRANË - Njëzet e tre ditë pas vrasjes në Krujë të Gazmend Çollakut është arrestuar një person i dyshuar, ndërsa Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë mbi tavolinat e tyre emrat e të dyshuarve të tjerë të cilët mendohet se kanë rrëmbyer e më tej ekzekutuar biznesmenin nga Durrësi, të cilët dyshohet se janë më tepër se tre.

33-vjeçari me banim në Durrës Denis Shtraza, një emër jo i panjohur në sistemet e informacionit kriminal të policisë, u arrestua mbrëmjen e së enjtes (rreth orës 21:00) në aeroportin Nënë Tereza në Rinas, ndërsa po tentonte të largohej drejt Italisë.

Shtraza është i dyshuar si person i përfshirë drejtpërdrejtë në rrëmbimin e Çollakut, për motive ende të panjohura. Ai është i njohur për policinë si një person me tendenca të theksuara kriminale, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës dhe i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal që operon në zonën e Durrësit dhe të Tiranës.

Çollaku u gjet i lidhur këmbë e duar me litar një ditë pasi disa persona e morën peng në Durrës. Ai u qëllua me armë nga një distancë e afërt si pasojë e së cilës gjeti vdekjen.

Ky operacion vjen si rezultat i një bashkëpunimi të Policisë së Durrësit, Drejtorisë e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, pas një hetimi intensiv. Sipas policisë personi, është shoqëruar pas përgjimit me metoda speciale të të gjithë personave me precedentë penalë.

Atentati mafioz sipas policisë dyshohet ka lidhje me vrasjen e dy të rinjve në Durrës në 20 dhjetor në afërsi të portit të Durrësi. Ervin Kodrës dhe Endri Caushajt ju bë pritë nga një tjetër automjet dhe në momentet kur BME X5 me targë AA 292 IH ku udhëtonin të rinjtë ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi relativisht të ulët, autorët kanë qëlluar me kallashnikov. Por hetuesit e policisë po vlerësojnë edhe pistën se vrasja e Çollakut mund të ketë lidhje me përplasjet e grupeve të trafikut të drogës në tiranë dhe Durrës.

Recommended