Report TV - Kongresi i PS, Rama nis nga Vlora fushatën për delegatët

  • 8 years ago
Në prag të kongresit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Vlorën , zonën e tij elektorale për të hapur fushatën për zgjedhjet e delegatëve të partisë që ai drejton.Një fushatë e tillë do të nisë të premten dhe do të zhvillohet në secilin nga 6 rajonet, sipas të cilëve Rama ka ndarë punën për përgatitjen e zgjedhjeve brenda partisë.

Në mbledhjet e grupit parlamentar është vendosur afat final muaji shkurt për të përfunduar zgjedhjen e delegatëve që do të votojnë vendimet e kongresit.

I pari që do ta realizojë këtë është rajoni Elbasan- Korçë, në datën 13 shkurt. Ndrësa i fundit pritet ët jetë rajoni Vlorë-Gjirokastër, ku procesi zgjedhor po ecën me ritme shumë të ngadalta. Shto këtu dhe faktin se deputetët që po merren me riorganizimin e partisë në këtë rajon kanë pakënaqësi të theksuara ndaj koordinatorit Koço Kokëdhima.

Sipas tyre për të kapur afatet e përcaktuara nga Rama, Kokëdhima po shkel procedurat duke zhvilluar zgjedhjet e delegatëve para atyre të organizatave. Sipas statutit të PS-së, janë organizatat e partisë ato që përcaktojnë emrat e delegatëve të kongresit dhe jo e kundërta.

Tjetërsimi i procedurave, hedh hije dyshimi mbi bazën mbi të cilën po përzgjidhen këta delegatë.

Data e mbledhjes së kongresit është përcaktuar 19 marsi. Po zëra brenda partisë kërkojnë mbledhjen e Asamblesë Kombëtare për të zyrtarizuar datën e kongresit i cili shtyhet me rreth 2 muaj.

Deputeti socialist Ben Blushi ka bërë të ditur se mund të dalë me një platformë të tij në kongres duke sfiduar kryetarin Rama.

Recommended