Wake Up/ Pandemia rriti dyfish problemet e shëndetit mendor, sidomos tek të rinjtë
  • 4 years ago
Pandemia nga COVID-19 ka shkaktuar frikë dhe pasiguri në shumë popullata në mbarë botën. Periudha pas izolimit, trysnia nga masat që po merren për frenimin e përhapjes së virusit, humbja e shumë vendeve të punës, janë shoqëruar me probleme në shëndetin mendor të miliona njerëzve. Kjo deklaratë vjen nga ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë të cilët kanë ngritur shqetësimin se krahas varfërisë, pandemia do të sjellë dëme të mëdha në shëndetin mendor të popullatave. Në fakt pandemia duket se i ka sjellë efektet në këtë aspekt edhe në vendin tonë. Mbi problemet e shëndetit mendor në popullatën shqiptare gjatë pandemisë, mjekja psikiatre Valentina Asabella, e cila drejton dhe Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor nr3 në Tiranë tha se ka pasur shtim të rasteve gjatë kësaj periudhe. "Kemi një shtim të rasteve të reja, dyfishim, sidomos ata që pandemia i gjeti të vetëm u ndjenë fare të pafuqishëm, dhe pa mbështetje. Në javët e para të izolimit ata patën ndjesinë e braktisjes dhe këto shkaktuan probleme të shëndetit mendor që u reflektuan më humbje të gjumit, me çrregullime të të ngrënit me gjendje ankthi të shprehur, mendime negative me frikën se do të infektohemi etj. Ndryshimi i rutinës sonë dhe stopimi i jetës normale, ndikoi tek të gjithë ne. Pandemia bëri që njerëzit të kishin përveç problemeve psikologjike edhe probleme sociale, siç ishte papunësia. Njerëzit mbeten pa të ardhura për të përballuar muajin. Kishte familje që nuk përballuan dot jetesën dhe kjo solli konflikte brenda familjes, ose rastet e përdoruesve të substancave narkotike dhe alkoolit që krijuan konflikte të mëdha brenda familjes".
Sipas mjekes psikiatër është rritur ndjeshëm numri i vizitave të pacientëve që shfaqin probleme të ndryshme të shëndetit mendor (ankth, stres, depresion), por ajo që është tepër shqetësuese dhe duhet të shërbejë si këmbanë alarmi është se në këtë numër të lartë vizitash, janë shtuar pacientët në moshë shumë të re, duke filluar nga ata 20 vjeç. "Ata që kërkuan të parët ndihmë te psikiatri, ishin fëmijët dhe mosha mbi 60-vjeç sidomos nga kategoria e fundit mund ishin kryesisht persona që vuanin nga sëmundje kronike, për arsye se ata ishin më të rrezikuarit dhe stresi që ata mbartën ishte më i madh. Më vonë me vendosjen e masave drastike u pa një problematikë e shtuar në shëndetin mendor tek të rinjtë. U rrit numri i të rinjve që paraqiteshin te psikiatri; u mungonte shkolla, takimi me miqtë, kafenetë, vajtja në palestër etj, pra të gjitha ato aktivitete social-kulturore me të cilat ata ishin mësuar. Ju mungonte rutina e jetës së mëparshme dhe papritur gjendeshin në një normalitet të ri, krejt tjetër nga ai që ishin mësuar dhe ishte e vështirë që ata ta pranonin si normalitet të ri"-tha mjekja psikiatër Valentina Asabella.



Për më shumë vizitoni: http://top-channel.tv/

Subscribe to "Top Channel" on YouTube Channel for NEWS and TV
Shows HERE: http://bit.ly/2Y15KwK
For more content from click HERE: www.top-channel.tv...
Recommended