Report TV - Rama: Më përputhen shqetësimet me Bashën, edhe në Laç gjendje e jashtëzakonshme

  • 5 years ago
Kreu i qeverisë tha se është shqetësim i përbashkët si i liderit të opozitës Lulzim Basha, situata në Laç pas tërmetit, e për këtë, Rama tha se ka vendosur që edhe ky qark të kalojë në planin e emergjencës. Kështu, Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme edhe në Laç, përveçse në Tiranë dhe Durrës.

"Ne e kemi diskutuar me shqetësim. Ka dëme edhe në Laç, kanë dalë nga godinat dhe janë nëpër çadra, do të trajtoheshin njësoj të përfshihen në vendimin e perimetrit të emergjencës. Duke konsideruar edhe opinionin e kryetarit të opozitës them që na përputhen shqetësimet edhe idetë. Përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program që askush të mos ndihet i vendosur në një kategori të dytë të vëmendjes", tha Rama.  

Rama tha se detyrën për të monitoruar të gjithë situatën e gjendjes së jashtëzakonshme e merr ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi. "Ministri i Bujqësisë merr drejtimin e plotë të operacionit - komisar i plotfuqishëm që ka mandat të plotë nga qeveria për të dhënë gjithë urdhrat dhe për të marrë në kohë reale përgjigje nga të gjitha institucionet. Është barrë plus për ministrin prandaj do i kërkoja një angazhim më të madh zv.ministrave përkatës të mbulojnë një boshllëk", u shpreh shefi i mazhorancës.