Zbulohet çfarë solli ngjarjen e tmerrshme në Sukth ku burri u fut me kallash në qendër votimi
  • 5 years ago
Një 53-vjeçar, Ramiz Bakanaçi u arrestua nga Policia e Durrësit pasi mëngjesin e sotëm u fut në një qendër votimi me armë mori fletët dhe listat e votimit dhe i dëmtoi ato. Kryetari i qendrës së votimit në Katund Sukth të Durrësit në një prononcim për mediat sqaroi atë që ndodhi.

"Një fshatar i jonë erdhi radhën e parë kishte pirë, na ofendoi, na kërcënoi erdhi së dyti me armë në dorë dhe na kërcënoi prapë na mori fletët e votimit me gjithë listën e zgjedhësve dhe doli përjashta. Erdhi policia, e larguan dhe ne vazhduam votimin. E cenoi procesin, por aq sa ishte policia u vunë shiritët. Na erdhi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve na solli listë tjetër", tha ai.

Por kryetari i PD-së në Durrës, Ferdinand Xhaferri tha se kjo ngjarje erdhi pasi burrit në fjalë i kishin dhunuar nipin.

"Për informacionin në Katund Sukth. Përpara se të ndodhte ky incident ka ndodhur një tjetër ngjarje, ku administratori i komunës ka goditur një fëmijë. Kjo ka nxehur situatën. Nga informacionet më parë i kishin dhunuar nipin zotërisë që ka shkuar dhe ka bërë incidentin. Kemi informacion", u shpreh kreu i PD-së së Durrësit, Ferdinand Xhaferri.

Sipas PD-së në Durrës një fëmijë që bërtiste ?Rama Ik? është dhunuar nga nga administratori i njësisë.