LSI tërhiqet nga dorëheqja e Ramës si kusht për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit Po PD?
  • 5 years ago
Opozita e bashkuar e terrorizuar nga perspektiva e humbjes së kontrollit mbi të gjitha bashkitë e vendit, nuk duket më e bashkuar. Partia e parë që po mohon betejën e bërë deri tani është LSI, që sot pranoi të shkojë në votime me 13 tetor, sipas datës së re të caktuar nga Presidenti i Republikës pa vendosur asnjë kusht. Vetëm e vetëm për të bllokuar zgjedhjet e së dielës, LSI është pra gati të harrojë edhe kushtin kryesor që kishte shtyrë opozitën e bashkuar të bojkotonte 30 qershorin, pra dorëheqjen e Edi Ramës si kryeministër.

Në përfundim të takimit me ish-shokun e partisë Ilir Meta, Petrit Vasili konfirmoi me kënaqësi se zgjedhjet administrative do të zhvillohen me 13 tetor, duke harruar të thotë se LSI pretendonte dorëheqjen e kryeministrit si kusht për të marrë pjesë.

"Të nderuar qytetarë dhe qytetare, ne jemi këtu të palëkundur për të mbrojtur pluralizmin, paqen në vend, mirëkuptimin mes shqiptarëve dhe për t'i parë gjithmonë zgjedhjet dhe ditën e zgjedhjeve si një ditë ku Shqipëria merr frymë për mundësi dhe qeverisje më të mirë dhe kurrë për ta shndërruar atë në një ditë lufte, dhune dhe përplasjes së egra mes njërit tjetrit"

Petrit Vasili, nënkryetar i LSI-së
Deklarata e Petrit Vasilit duket e koordinuar me ate te Presidentit Meta,i cili, duke iu pergjigjur gazetareve sqaroi se ai nuk mund te garantoje pjesemarrjen e te gjitha forcave politike ne zgjedhjet e 13 tetorit,por megjithate eshte i sigurte se ne te gjithe 61 bashkite do te kete te pakten nje kandidat alternativ.

Nga sa kuptohet ky kandidat do te jete i LSI-se, e vetmja force politike per te cilen Ilir Meta mund te jape garanci. Ja çfare tha konkretisht Meta:

''Unë nuk mund të garantoj se cili do të marrë pjesë dhe cili nuk do që të marrë pjesë. Unë dëshiroj që të gjithë të marrin pjesë, por në çdo rast unë jam i bindur se nuk do të ketë asnjë bashki në Republikën e Shqipërisë ku nuk do të ketë të paktën një kandidat alternativ! Pra, nuk do të kemi asnjë bashki ku do të ketë praktikisht votime pa kandidatë alternativë, sepse kjo është në kundërshtim me të gjitha detyrimet europiane, ndërkombëtare, që janë edhe të detyrueshme edhe nga ana ligjore të vendit tonë. Pra, jam i sigurt që nuk do të ketë asnjë bashki pa kandidatë alternativë''.

Ilir Meta
Në këtë pikë nuk është shprehuar ende Partia Demokratike që dy javë më parë kishte siguruar se pa dorëheqjen e Ramës, nuk do të bëheshin zgjedhjet "as me 30 qershor, as me 30 korrik, as 30 shtator". Por çfarë mendon tani Lulzim Basha për datën e re të 13 tetorit? Vetëm për të shmangur katastrofën politike duke humbur kryebashkiakë dhe këshilltarë në të gjithë 61 bashkitë, a do të heqë dorë edhe Lulzim Basha nga kërkesa e tij për dorëheqjen e Edi Ramës për të marrë pjesë në zgjedhje?
Recommended