Opozita 3 orë marshim proteste në shi në 5 institucione, pas thirrjeve të ndërkombëtarëve pa molotov

  • 5 years ago
Pas tre orësh përmbyllet pa dhunë tek selia e PD-së, marshimi i opozitës në 5 institucione, tek Kryeministria, Policia e Shtetit, Ministria e Brendshmedhe Policia e Tiranës, pa u caktuar një datë e ardhshme proteste nga lideri demokrat Lulzim Basha.

Protesta e pestë kombëtare e opozitës jokuvendore kundër qeverisë erdhi si një vendim urgjent pas tubimit të 11 Majit që u mbyll pas mesnate në skena të dhunshme kundër institucioneve, sulmeve me bomba molotov e plagosjes së efektivëve. 13 Maji u lajmërua nga vetë lideri demokrat Lulzim Basha si protesta që do të rrëzojë nga qeveria kryeministrin Edi Rama, në fakt, njëjtë siç ai ka njoftuar edhe para katër tubimeve të mëparshme. Në një ndryshim skenari nga protestat e mëparshme, tubimi i 13 Majit u bë në formën e marshimit të protestës në 5 institucione që sipas opozitës joparlamentare janë jolegjitimë, si qeveria dhe parlamenti, Ministria e Brendshme, dhe Policia e Shtetit dhe e Tiranës, që sipas tyre marrin urdhra nga qeveria e lidhur me krimin. Pati ndalesa të heshtura të udhëheqësve politikë të opozitës para këtyre institucioneve, ku u hodhën nga manifestuesit vetëm disa kapsollë e flakadanë ndaj institucioneve. Vetëm tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pati një efektiv të dëmtuar nga hedhja e fishekzjarrëve dhe kapsollave. Ndërsa tek Drejtoria e Policise së Tiranës u hodh vetëm një bombë molotov i konsideruar edhe nga ish-deputetët e opozitës një rast sporadik. Marshimi u përmbyll tek selia e Partisë Demokratike pas 3 orëve.

Por përse ky ndryshim i papritur skenari, kur siç u paralajmërua nga udhëheqësit politikë të opozitës jokuvendore, do të ishte protesta më e madhe që do të rrëzonte Edi Ramën?!

Ishin ndërkombëtarët të cilët njëzëri sot, në deklarata të njëpasnjëshme, dënuan dhunën në protestën e 11 majit dhe sulmet ndaj institucioneve. Folën me emra të përveçëm ndaj kryedemokratit Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, ku i kërkuan të dënojnë publikisht autorët e dhunës, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore. Në këtë protestë, mungoi Kryemadhi, e cila sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të LSI-së që u shpërnda në nisje të protestës, ndodhet në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Recommended