Opozita 4 orë protestë pa Bashën dhe Berishën, militantët shpërthejnë në sherre mes njëri-tjetrit

  • 5 years ago
Opozita joparlamentare protestoi për 4 orë, në tubimin e tetë kundër qeverisë, me thirrjet në kor: Rama ik. Në protestë mungoi lideri demokrat Lulzim Basha i cili u gjend në Gjermani në takime me përfaqësues të CDU-së, duke shënuar të dytën mungesë siç ndodhi më 21 mars. Bojkotoi këtë protestë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, duke e lënë gjithçka në dorë të kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ish-deputetëve të PD-së, LSI-së dhe aleatëve të djathtë. Që në nisje të protestës, ish-deputeti Klevis Balliu me një grup protestuesish tentuan disa herë të kapërcejnë perimetrin e sigurisë me efektivë para Ministrisë së brendshme duke nxitur përplasje të vazhdueshme. Më tej tek parlamenti pati sërish përplasje të protestuesve me policinë, ndërsa nuk munguan kapsollët dhe shashkat. Dukshëm me më pak protestues se në tubimet e tjera, kjo protestë, pas disa orëve tek Kuvendi, ju drejtua Piramidës, aty ku dogjën një piramidë të ndërtuar në mënyrë simbolike prej tyre me dru dhe karton për të treguar pushtetin e krimit - sipas tyre.

Por ndryshe nga të gjitha protestat e tjera, në këtë tubim të tetë, pati përplasje edhe mes vetë protestuesve. Dhunë, grushte, goditje me shkelma. Nisi me një protestues me kapuç para Kuvendit i cili u rrah nga militantët, dhe më tej me një burrë tek Piramida që u godit me shpulla në fytyrë dhe shkulje veshi. Ndërsa e fundit që e pësoi nga "revolta" e protestuesve ishte edhe një zonjë. Ajo u shty dhe u tentua të rrihej prej protestuesve, ndërsa në një situatë ka ndërhyrë edhe operatori i Report Tv, Mirsal Hajdarmataj, i cili e ka larguar nga turma e irrituar. Shumë pranë këtyre konfrontimeve të pakuptimta në një protestë që supozohet kauzën ta ketë të njëjtë, qëndronin edhe ish-deputetët e opozitës, pa asnjë tentatië për të shmangur incidentet.

Sipas gazetarit të Report Tv Elis Memelli, protestuesit shpërthyen në dhunë pasi dyshonin se mes tyre ka persona të infiltruar nga policia.

Protestën e mbylli pas 4 orësh Edi Paloka me një fjalim në selia blu, ku solli edhe përshëndetjet e liderit demokrat Lulzim Basha nga Gjermania. Një tubim që u mbyll teksa seanca plenare e Kuvendit vijonte. Protestat e radhës është më tre prill.

Recommended