Ora News - Opozita protestë 5 orë para kryeministrisë, gaz lotsjellës dhe ujë drejt protestuesve
  • 5 years ago
#oranews #opozita #proteste

Është mbyllur pas 5 orësh protesta e thirrur nga opozita përpara kryeministrisë mesditën e 16 shkurtit 2019. Protesta u shoqërua dhe me tensione dhe përplasje dhe pati hedhje gurësh drejt kryeministrisë, flakë, tymuese, shishe molotov ndërkohë që policia përdori gaz lotsjellës por dhe pompa ujë për të zbrapsur protestuesit të cilët disa herë tentuan të hynin brenda.

Ora News solli pamje nga momenti kur nga tarraca e kryeministrisë u qëllua me gaz lotsjellës drejt protestuesve të cilët afroheshin tek dera e kryeministrisë apo dhe hipnin në skelë. Edhe nga dyert e kryeministrisë u hidhej ujë protestuesve.

Protesta e nisur prej ores 11:00 u mbyll në orën 16:00 me fjalën e kryetarit të PD-së i cili paralajmëroi se protesta tjetër do të jetë të enjten e ardhshme: "Kryengritja qytetare do të vazhdojë deri në përmbysjen e këtij sistemi të kalbur. Ju ftoj të enjten në orën 10:00 në protestën tjetër më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë."

Ministria e shëndetësisë njoftoi për 19 persona të lënduar mes tyre policë, gazetarë por dhe protestues. Njëri prej tyre ishte gazetari i emisionit "Arena" në Ora News, Isa Myzyraj. Opozita akuzoi Ramën dhe policinë se ka provokuar, nga ana e saj policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet. Vetë Rama nuk ndodhej në kryeministri por udhëtoi drejt Vlorës ku mbajti një takim të cili opozita e quajti si 'antimiting'

Presidenti Ilir Meta bëri thirrje "për vetëpërmbajtje nga të gjithë për evitimin e konfrontimeve dhe dhunë" ndërkohë që i njëjti apel u bë dhe nga ndërkombëtarët. Prej Policisë së Shtetit ishte vënë në rrethim selia e Kryeministrisë të pajisur dhe me maska antigaz. Në godinat përreth, Garda kishte marrë masa me snajperistë por edhe duke filmuar protestën.


Si nisi protesta- Protesta e opozitës nisi me marshimin e mbështetësve nga rrethet por edhe me banorët e Astirit që u nisën drejt Kryeministrisë. U deshen vetëm 30 minuta nga nisja e protestës që banorët e Astirit të përplasen me policinë. Nuk munguan as tymueset dhe shishet molotov. Pas kësaj përplasje kordoni i forcave të rendit është thyer. Me mjete rrethanore së pari është shkatërruar tenda mbrojtëse e strehës së derës së Kryeministrisë. Pikërisht këtu u regjistruan disa të plagosur dhe u kërkua ndërhyrja e ambulancave. Një prej të plagosurve mbeti mbi skelë teksa të tjerë u dëmtuan nga gazi lotësjellës.

Ndërsa policia bëri thirrje për të ndalur protestën, përgjigjja ishte prishja e megafonëve. Deri në këtë moment as kryeministri Edi Rama nuk kishte reaguar. Qëndrimi i tij i parë erdhi pas shkatërrimit të instalacionit "Kërpurdha".

Kryetari i PD-së theksoi më pas se erdhi në shesh për të dëgjuar 20 folës por se provokimi prej policisë nuk e lejoi. Pas pesë orë protestës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi përfundimin e protestës duke kërkuar një tjetër tubim të enjten.

Për më shumë lexoni në: http://oranews.tv/article/sot-protesta-e-opozites-kunder-kryeministrit-rama

Follow Ora News

...
Recommended