Report TV - Gjykata e Krimeve të Rënda jep verdiktin, Klement Balili dënohet me 10 vite burg
  • 5 years ago
TIRANE-Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 10 vite burg Kelmend Balilin. Prokuroria kërkoi 18 vite, gjykata vendosi 15, por duke qenë se u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, u ul 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 10 vite burg. Balili akuzohet për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, fshehje të pasurisë dhe pastrim të parave. Balili ka qenë i pranishëm në gjykatë në momentin që trupa gjykuese e kryesuar nga Flora Haradinaj dha vendimin. Seanca zgjati pesë orë ndërsa vendimi u prit në qetësi dhe heshtje nga familja dhe vetë i akuzuari. I cilësuari Eskobari i Ballkanit, Balili akuzohet për rastin e trafikimit të 700 kg kanabis në Greqi. Si prova fajësie u renditen përgjimet telefonike të realizuara nga autoritetet greke në kuadër të një hetimi që po kryhej atje për një organizatë kriminale që trafikonte hashash e kokainë.

Akuza është kundërshtuar nga avokatët mbrojtës të cilët deklaruan se prokuroria nuk arrin të faktojë se personi i përgjuar është 47-vjeçari. Megjithatë, prokuroria kërkoi shpalljen e fajshëm të tij për trafik lëndësh narkotike dhe dënimin me 10 vite burg; deklarimin fajtor për pastrim parash dhe dënimin me 5 vite burg; deklarimin fajtor për fshehje të pasurisë dhe dënimin me 6 muaj dhe deklarimin fajtor për grup kriminal dhe dënimin me 5 vite burg. Në bashkim të dënimeve për Balilin u kërkuan në total 18 vite burgim, ndërsa gjykata vendosi sot 15 vite dënim, i cili u ul në 10 për shkak të uljes së 1/3, pasi u aplikua gjykimi i shkurtuar. Balili do të vuajë dënimin në një prej burgjeve të sigurisë së lartë. Balili u vetëdorëzua mëngjesin e 15 janarit në policinë e Tiranës, pas 2 vitesh arrati.
Recommended