Mitingjet po dëmtojnë vendin'/ Basha refuzon thirrjen për dialog të Metës
  • 5 years ago
Presidenti i Republikës Ilir Meta nga Durrësi ku ishte në kuadër të 7 Prillit në përkujtim të 80-vjetorit të rezistencës antifashite kërkoi nga shumica dhe opozita që të heqin dorë nga përdorimi i forcës me mitingje dhe antimitingje dhe të reflektojnë duke treguar vullnet për dialog. Ai tha se, demonstrimi i forcës është i panevojshëm dhe një gjë e tillë dëmton përparimet që ka bërë Shqipëria nga viti i mbrapsht, 1997-ta.

"Unë besoj vetëm te dialogu dhe vetëm te zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. Besoj se pas vitit 1997 vendi ka bërë përparime të rëndësishme dhe i nxis e i inkurajoj të gjithë politikanët e përgjegjshëm kudo ku ata ndodhen, në mazhorancë apo në opozitë, të tregojnë që në këto 22 vite Shqipëria jo vetëm ka bërë përparime, por që edhe këto 22 vite nuk mund të shkojnë dëm për hir të kokëfortësive dhe të demonstrimeve të forcës përmes mitingjeve, dhe antimitingjeve të panevojshme.

Aq më tepër që jemi edhe në prag të sezonit turistik, që dihet se është aq i rëndësishëm jo vetëm për Durrësin, por edhe tërë Shqipërinë dhe për ekonominë tonë. Kështu që unë besoj se ka një hapësirë të gjerë për të gjetur zgjidhjet e duhura dhe secili të reflektojë. Besoj se është detyrë e tyre që të tregojnë vullnet real për dialog dhe të heqin dorë nga përdorimi i forcës si dhe të udhëhiqen vetëm nga arsyeja dhe interesi i përbashkët" deklaroi Meta. I pranishëm në momentin e vendosjes së kurorave me lule tek monumenti i Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku, në qytetin e Durrësit me Metën ka qenë edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Recommended