Basha bën gati kandidatët për kryebashkiakë, hedh hapin e parë për reformën zgjedhore
  • 5 years ago
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pasditen e sotme zhvilloi një bashkëbisedim me një grup studentësh në Korpusin e Universitetit Politeknik të Tiranës. Lideri demokrat deri tani ka lënë të kuptohet se opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit me Edi Ramën kryeministër duke kërkuar më parë zgjedhje të parakohshme përmes një qeverie kalimtare. Por, sot Lulzim Basha ka dhënë sinjale se opozita po përgatitet për zgjedhjet lokale, pavarësisht deklaratave.

Basha deklaroi se nesër PD-ja do të prezantojë sistemin e ri të përzgjedhjes së kandidatëve në cdo nivel duke filluar nga vendor deri te qendror. "Me procesin e zgjedhjes së kandidatëve ne do të ndjekim modelin evropian, do të mundësojmë që çdokush që ka interes të përfaqësojë politikisht qytetarët, komunitetin, në çdo nivel, kryebashkiak apo deputet të kenë mundësi të kandidojnë.

Nesër apo pasnesër ju do të shikoni vetë kur PD do të botojë online formularë të aplikimit për ata që dëshirojnë të jenë kandidatë në zgjedhjet e ardhshme në emër të PD. Do të jetë merita që do të përcaktojë se kush do të jetë ai apo jo që do të përfitojë përmes votës së lirë dhe vlerësimit transparent që do të përfaqësojë PD në një parlament të çliruar nga krimi dhe kriminelët" tha Basha. Fakti që Partia Demokratike e nis procesin për zgjedhjen e kandidatëve edhe për kryebashkiakë në këtë moment lë të kuptohet se opozita po përgatitet për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Recommended