Report TV -Dhunohen mjeku në Lezhë dhe specializantja në Tiranë, dorëzohet njëri nga autorët

  • 5 years ago
Dy mjekë u dhunuan ditën e sotme ndërsa ndodheshin në detyrë. Zef Doda, u sulmua në ambientet e Spitalit të Lezhës, ku u qëllua me sende të forta nga njëri prej familjarëve të një pacienti. Mjeku ka marrë dëmtime serioze, dhe është dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Disa orë pas ngjarjes, autori, i cili është 24-vjeçari Eduard Lleshi është dorëzuar në policinë e Lezhës. Ai është shprehur se me mjekun debatoi dhe e qëlloi, pasi nuk po i shërbente dhe se ishte i dehur. "Debatova me të dhe e kam qëlluar me grushte. Nuk po më shërbente, ishte në gjendje të dehur" ka thënë ai.

Ndërkohë në Tiranë, mesditën e sotme në Tiranë, u dhunua mjekja specializante me inicialet V.Z në klinikën e parë të kirurgjisë në QSUT. Specializantja është dhunuar nga një person i dehur, i afërt i një pacienteje, që po merrte shërbim mjekësor. I dehuri më pas është konfliktuar edhe me forcat e rendit, të cilat ushtrojnë detyrën në shërbimin e Urgjencës.

Ministria e Shëndetësisë reagoi duke dënuar dhunën ndaj mjekëve dhe duke i kërkuar autoriteteve të drejtësisë të japim dënim maksimal ndaj agresorëve. Ministria thotë se ka propozuar ndryshime në Kodin Penal që goditja ndaj bluzave të bardha të konsiderohet vepër penale.

Nuk është hera e parë që pacientë, apo familjarë të tyre ngrënë dorën ndaj bluzave të bardha. Së fundi, në Durrës, një mjek u dhunua nga një pacient i dehur, ku u qëllua me tullë në fytyrë duke pësuar dëmtime serioze. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manasterliu ka nxjerrë një udhëzim preçiz të ndalimit të familjarëve në Urgjencë ndërsa është caktuar një orar fiks për vizitat tek të sëmurët. Ligji ka qenë edhe më herët, pasi nuk lejoheshin vizitat në çdo orar, por përkundër ryshfetit ndaj rojeve të sigurisë, familjarët e pacientëve nuk njihnin orar!

Recommended