Dorëheqja e opozitës/ Thaçi: Rama bëri atë që i mungonte Shqipërisë prej një shekulli, dialogoni
  • 5 years ago
Tema kryesore e bisedës është ajo se çfarë po ndodh me negociatat mes Serbisë dhe Kosovës. Por, cfarë komenti ka Thaçi për situatën politike në Shqipëri, ku opozita ka djegur mandatet pas protestës së dhunshme në 16 shkurt, ndërsa kërkon largimin e Ramës dhe zgjedhje të parakohshme. Thaçi vlerëson punën e qeverisë Rama, ndërsa kërkon që dy palët të dialogojnë për të mirën e vendit. "Realisht i kam përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet në Tiranë, ashtu siç i përcjell edhe politika e Tiranës të gjitha zhvillimet në Prishtinë apo gjetiu ku jetojnë shqiptarë, por edhe më gjerë. Nuk është në ndërgjegjen e moralin, as në etikën time që të jap opinione interferuese në skenën politike të Shqipërisë, ashtu sikurse as nga Shqipëria besoj se nuk do të ishte me interes që dikush të pretendonte për interferim, në kuptimin negativ, në skenën e politikës, sepse skena politike edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë është e pjekur plotësisht për ndërmarrjen e hapave të drejtë, të mençur dhe të urtë në shërbim të dy shteteve, si të Shqipërisë edhe të Kosovës. Por ajo që është jashtëzakonisht me rëndësi është se duhet të respektojmë legjitimitetin dhe autoritetin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e lira, institucione këto që burojnë prej vullnetit të njerëzve, si në Prishtinë, si në Tiranë. Pastaj debatet, ballafaqimet pozitë-opozitë janë gjëra që duhet të respektohen dhe të shikohen në kuadër të kornizës së angazhimeve që kemi, edhe ligjore, por në të njëjtën kohë edhe kushtetuese, edhe të funksionimit të demokracisë.

Gjithashtu, debatet dhe ballafaqimet janë ato që duhet të na çojnë përpara. Ato janë vlerë e proceseve tona euro-atlantike, por në asnjë rrethanë nuk duhet të na kthejnë prapa apo të bllokojnë të ardhmen e qytetarëve tanë, prandaj, mendoj që është jashtëzakonisht me rëndësi dialogu pozitë-opozitë që të punohet për reforma. Unë mendoj që Shqipëria ka pasur një vlerësim maksimal prej Bashkimit Evropian dhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës në veçanti, në procesin e reformave demokratike. Mendoj se në këtë drejtim kryeministri Rama, me reformat që ka bërë, ka bërë një punë që i ka munguar Shqipërisë prej një shekulli të tërë. Por, natyrisht që ky angazhim duhet të ketë një koordinim të afërt edhe me opozitën, në mënyrë që të jenë të gjithë bashkëpjesëmarrës dhe bashkëmeritues, sepse tek e fundit, reformën në drejtësi e kanë votuar të gjithë, me aq sa di unë, me 2/3 e votave.

E theksoj përsëri, që unë jam Presidenti i Kosovës dhe nuk dëshiroj që të jap mendime në favor apo kundër askujt, por çdo herë, me tërë angazhimin tim politik që prej dy dekadash, kam respektuar institucionet e Shqipërisë, bartësit e institucioneve, gjithmonë në raport korrekt me të gjithë aktorët politikë apo edhe të shoqërisë civile. Dhe përsëri unë mendoj që duhet të respektohet parimi i dialogut dhe i mirëkuptimit, dhe i respektimit të legjitimitetit qytetar dhe në asnjë rrethanë të sfidohen proceset e rregullta demokratike prej kujtdo qoftë dhe prej ngado që vijnë. ...
Recommended