Zbulohet laborator droge ne Has

  • 6 years ago
5 në pranga, operacioni në zhvillim



Policia ka sekuestruar një laborator në fshatin Brahog të Hasit ku dyshohet se prodhohej heroinë. Ambienti mbahej nën vëzhgim prej mëngjesit të djeshëm pas informacionit nga strukturat lokale se në këtë laborator përpunohej lëndë narkotike.
Policia ka ndaluar 5 persona, ndërsa janë shoqëruar edhe 8 të tjerë që po merren në pyetje. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se, operacioni është në zhvillim e sipër, ndërsa po kryhen kontrolle në të gjithë zonën.
Në laborator mësohet se është gjetur rreth 100 kilogramë heroinë, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar.
Për këtë çështje, gjatë paradites ka patur një takim mes drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së shtetit Ardi Veliu, i cili shoqërohej nga drejtori i Policisë Kriminale Eduard Merkaj, dhe dy prokurorëve të krimeve të rënda Vladimir Mara dhe Dritan Premçi. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se në qendër të takimit ka qenë operacioni i policisë për laboratorin e sekuestruar në Has, por pa dhënë më shumë detaje. Policia lokale ka njoftuar se në ditët në vijim do të bëjë publike rezultatet. Ky është laboratori i dytë i përpunimit të drogërave të forta pas atij të zbuluar në Xibrakë të Elbasanit në Janar të vitit 2015, ku u arrestuan 9 persona, mes të cilëve edhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, i cili para pak javësh fitoi lirinë. Në arrati mbetet kreu i grupit Genci Xhixha.

Tv Klan

Recommended