Tv Klan - Skandal në shtëpinë e të moshuarve në Kosovë

  • last year
Të qeshurat që dëgjohen në sfond shoqërojnë të gjithë ngjarjen skandaloze në shtëpinë e të moshuarve në Pejë të Kosovës, ku siç duket nga pamjet, njëra prej infermiereve, qëllon me shpulla të moshuarën e cila vuan nga sëmundja e kujtesës.
Policia dhe Prokuroria e Kosovës njoftoi se pas publikimit të videos në rrjetet sociale, ka arrestuar infermieren që shihni në pamje duke dhunuar të moshuarën dhe kolegen e saj me akuzën e “Sulmit” dhe “Ndihmës në kryerjen e sulmit”.
Por dhuna është njëra pjesë e skandalit që nxjerr në dritë video e publikuar fillimisht nga aktorja Kaltrina Zeneli, teksa mungesa e reagimit dhe ndjeshmëria nga pjesa tjetër e stafit në qendrën private për të moshuar që duhet “Orenda”, është ana tjetër.
Infermieret e tjera siç duken në video, vijojnë punën të pashqetësuara.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, quajti ngjarjen akt çnjerëzor.
“Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”.
Reagime të shumta nga personalitete të ndryshme të cilët kanë bërë thirrje që të dyshuarat të vihen sa më parë para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
E moshuara që duket në pamje jeton prej disa kohësh në këtë qendër dhe fëmijët i ka jashtë shtetit. Shtëpia për përkujdesjen e të moshuarve në Pejë “Orenda” është qendër private dhe ka pagesa të majme për një të moshuar brenda muajit. Sakaq shtëpia e të moshuarve “Orenda” me anë të njoftimi në rrjetet sociale bëri të ditur se ka përjashtuar menjëherë 4 punonjëset e këtij shërbimi.

Recommended