Report Tv-Fshehje pasurie, ryshfet dhe mangësi profesionale, KPK 'kap' gjyqtarin Ahmet Jangulli
  • 6 years ago
TIRANE - Rikthehet Vettingu në sistemin e drejtësisë. KPK zhvilloi sot seancën dëgjimore me gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Shkodrës, Ahmet Jangulli. Jangulli është njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Trupi gjykues përbëhej nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu, Valbona Sanxhaktari. Jangulli iu nënshtrua Vettingut për tre komponentë pasurinë, integritetin moral dhe aftësitë profesionale. Gjyqtari nuk kishte pranuar të përfaqësohej nga një avokat mbrojtës, por ndodhej vetë i pranishëm në seancë.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se në raportin e lexuar nga relatorja e KPK, Suela Zhegu, referuar përgjigjeve që ka kthyer ILDKPIK, gjyqtari Jangulli rezulton se ka fshehur pasurinë dhe ka bërë deklarim të rremë. Gjyqtari rezulton me probleme edhe sa i takon vendimeve të dhëna prej tij, ndërsa DSIK ka konstatuar se gjyqtari është i papërshtashëm. Sipas KPK, Jangulli ka marrë ryshfet bashkë me prokurorin për lirimin e disa të pandehurve nga burgu.

Skeda e pasurisë:

Tokë bujqësore në pronësi të Jangullit me sipërfaqe 2181 m2, fituar me ligjin 7501.

Apartament 61 m2 në Bulqizë.

1.2 mln lekë gjendje cash

Huadhënie 12 mln lekë.

Sipas relatores së KPK, ILDKPIK ka sjellë raport se Jangulli nuk justifikon pasurinë, ka fshehur pasurinë si dhe ka bërë deklarim të rremë.
Recommended