Policia zbulon bazën ku prodhohej drogë sintetike nga dy amerikanë te një apartament në Tiranë

  • 6 years ago
Në një operacion të përbashkët të Policisë së Shtetit me DEA-n amerikanë të koduar "Sintetiku" është bërë i mundur arrestimi i dy shtetasve amerikanë që kishin ngritur në Tiranë një bazë ku do të përpunonin drogë sintetike. Në një deklaratë për shtyp, drejtori i Policisë Kriminale Eduard Merkaj tha se dy amerikanët, Vincent (Dominic) De Caro, 29 vjeç, lindur dhe banues në New York, USA; dhe Arber Isaku, 29 vjeç, lindur dhe banues në New York, USA, u
arrestuan në pikën kufitare të Morinës në tentativë për tu larguar nga Shqipëria.

Ndaj tyre, Gjykata e Connecticut, SHBA kishte vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg" për veprën penale "Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope" kjo vepër e kryer nëpërmjet ?dark web?.

Keta shtetas ishin nën hetim prej 1 viti nga DEA. Ata kishin krijuar bazë dhe fshiheshin në Tiranë, ku po përgatiteshin për të prodhuar drogë sintetike.

Pas marrjes së letër porosisë dhe vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për ekzekutimin e saj, Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, pas 1 muaj hetimi në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe DEA-n arriti të zbulojë bazën ku fshiheshin 2 shtetasit.

Gjatë kontrollit në bazën ku fshiheshin dhe zhvillonin aktivitetin kriminal këta shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan mjetet dhe prekursorët që do të shërbenin për përgatitjen e drograve sintetike si edhe një numër i madh pajisjesh elektronike.

Shtetasit e mësipërm u mbajtën nën vëzhgim nga agjentët e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe u arrestuan në Morinë, në tentativë për t'u larguar nga Shqipëria.

Recommended