'Detyrat' për kryeprokuroren/ Kuvendi i kërkon Arta Markut arrestime VIP brenda 2018
  • 6 years ago
Kuvendi i Shqipërisë i kërkon kryeprokurores së përkohshme Arta Marku rritjen e numrit të hetimeve dhe procedimeve në nivele të larta për korrupsion dhe krim të organizuar, brenda vitit 2018. Shqiptarja.com publikon dokumentin e Kuvendit me 13 detyra për kryeprokuroren Marku. Projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së organit të akuzës, për vitin 2017, është hartuar nga Komisioni i Ligjeve, ndërsa pritet të miratohet nga Parlamenti. Detyra numër një e Kuvendit për Arta Markun është goditja e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, konkretisht e funksionarëve të drejtësisë, qeverisë dhe pushtetit vendor. Gjithashtu, Kuvendi i kërkon Prokurorisë që brenda vitit 2018 të rrisë numrin e hetimeve për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme, duke zbatuar ligjin Antimafia. Në këtë kuadër, Kuvendi i kërkon organit të akuzës që të thëllojë bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme, Kontrollin e Lartë i Shtetit, ILDKPKI, me qëllim orientimin e një vizion të përbashkët në politikën shtetërore që duhet të ndiqet në luftën kundër kriminalitetit në përgjithësi, korrupsionit e krimit të organizuar në veçanti. Po ashtu, Kuvendi i kërkon Prokurorisë që të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar me agjencitë e huaja ligjzbatuese me qëllim luftën ndaj krimit të organizuar dhe veprave penale që lidhen me pastrimin e parave. Një tjetër detyrë për Prokurorinë është që të marrë masa për të adresuar problematikat e konstatuara në raportet e Komisionit dhe Departamentit Amerikan të Shtetit për krimin dhe korrupsionin në Shqipëri. Kuvendi nuk është i kënaqur me punën e Prokurorisë në drejtim të luftës kundër korrupsionit gjatë vitit 2017, periudhë gjatë të cilës organi qendror i akuzës është drejtuar nga Adriatik Llalla. ?Megjithëse ka pasur rritje të numrit të procedimeve të regjistruara për veprat penale të korrupsionit, në krahasim me vitin 2016, pesha specifike që ky grup veprash penale zë për vitin 2017, përkundrejt numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi vazhdon të jetë në nivele shumë të ulëta, 0,87 % e numrit të përgjithshëm të procedimeve. Nga 148 çështje penale të filluara kryesisht nga organi i akuzës, vetëm 46 çeshite janë filluar kryesisht për veprat penale në fushën e korrupsionit, ku vendin kryesor e zë vepra penale ?Shpërdorimi i detyrës?, parashikuar nga neni 248 i Kotit Penal?, thuhet në projektrezolutë.
Recommended