Kalon vettingun rivali kryesor i Arta Markut në garën për Prokuror të Përgjithshëm
  • 5 years ago
TIRANE - Pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme SPAK me 15 prokurorët e zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, zhbllokohet gara edhe për kryeprokurorin. Me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është konfirmuar në detyrë Olsian Çela, një nga katër kandidatët në garë për kryeprokuror.

***

Konfirmohet në detyrë prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela, kandidat për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë. Pas seancës dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vendimin këtë të martë duke e konfirmuar në detyrë Çelën ku rezultoi se nuk kishte probleme me pasurinë, anën profesionale dhe integritetin moral.

I pranishëm në seancë ishte edhe vetë Olsjan Çela si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.

Kandidat për prokuror të Përgjithshëm janë 4, bashkë me Çelën. Arta Marku, prokurore e përkohshme, që kërkon një mandat të plotë kushtetues, Fatjona Memçaj, prokurore e Apelit dhe avokati Lulzim Allushaj.

Olsian Çela është rivali kryesor i Arta Markut në garën për Prokuror të Përgjithshëm. Të tre kandidatët prokurorë e kanë kaluar vettingun, ndërsa kandidati tjetër jo prokuror, avokati Lulzim Alushi po kalon në sitën e kontrollit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Vendimi i parë që pritet të marrë Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas konstituimit do të jetë zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë 7-vjeçar.

Pas zgjedhjes, KLP i liston kandidatët sipas pikëzimit.

Kryeprokurori zgjidhet me 3/5 e votave në Kuvend dhe ka një mandat 7 vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Nëse Kuvendi nuk e zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve, atëherë detyrën e merr kandidati i renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Recommended