Izet Haxhia rihap dosjen "Hajdari", dorëzon kërkesën në gjykatë: Gjyqi ndaj meje, i padrejtë!

  • 6 years ago
U ekstradua një javë më parë nga Turqia për llogari të drejtësisë shqiptare ku është i dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e deputetit Azem Hajdari në vitin 1998, Izet Haxhija depoziton në gjykatë kërkesën për riçelje të gjyqit të zhvilluar ndaj tij.

Depozitimi kërkesës konfirmohet si nga avokati i Haxhisë ashtu edhe nga sekretaria e gjykatës penale në Tiranë.

Pas depozitimit kjo kërkesë pritet të hidhet në short për të caktuar gjyqtarin para të cilit Haxhija do të jetë përballë për të renditur argumentet e tij përse duhet të rigjykohet.

Sipas gjykatës penale, Haxhija ka bërë kërkesë edhe për rivendosje në afat të dënimit 25 vjeçar dhënë në mungesë ndaj tij si dhe rihapje të procesit.

Ndër argumetnet e përdorura nga Haxhija është gjykimi i padrejtë i tij dhe manipulimi i fakteve dhe provave që rëndojnë ndaj tij.

Izet Haxhija sipas vendimit të publikuar ekskluzivisht nga Report TV pak ditë më parë akuzohet si i përfshirë në tre episode për vrasjen e kryer në bashkëpunim të Azem Hajdarit.

Sipas prokurorisë Haxhija është takuar një ditë para vrasjes në afërsi të Hotel Dajtit më 11 shtator 1998 me grupin e mbërritur nga Tropoja për vrasjen e Hajdarit.

Po ashtu edhe më datë 12 shtator ka qenë në furgonin e policisë së komisariatit të Tropojës para dhe pas vrasjes së Hajdarit.

Recommended