Report TV - Akuzat ndaj Carlo Bollino-s, Sali Berisha dënohet për herë të parë nga një gjykatë

  • 6 years ago
Për herë të parë në karrierën e tij të gjatë politike, Sali Berisha është dënuar nga një gjykatë shqiptare. Ish-kryeministri është dënuar më 11 prill për shpifje nga Gjykata e Tiranës me 1 milion lekë të vjetra dhe shpenzimet gjyqësore. Berisha është paditur para 2 vitesh për shpifje nga gazetari dhe botuesi Carlo Bollino për disa publikime që ka bërë ish-kryeministri në adresën e tij zyrtare në Facebook dhe gjatë një interviste televizive.

Akuzat që ka bërë publikisht Berisha ndaj gazetarit Bollino dhoma civile e gjykata e Tiranës i ka cilësuar si shpifje duke e dënuar liderin historik të Partisë Demokratike. Duhet theksuar fakti se pavarësisht dënimit, gjykata nuk është treguar shumë e ashpër me ish-kryeministrin pasi nga pala paditëse ishte kërkuar edhe detyrimi për të publikuar një përgënjeshtrim të përshtatshëm në faqen e parë të dy gazetave kombëtare, me qëllim sqarimin e natyrës abuzive dhe të pavërtetë të deklarimeve të adresuara ndaj gazetarit.

Gjithsesi fakti që Berisha u dënua nga një gjykatë shqiptare për shpifje është një vendim historik për drejtësinë shqiptare. Padia e gazetarit Carlo Bollino nuk ishte e para që bëhej në drejtim të Sali Berishës, i cili është paditur disa herë nga gazetarë e politikanë për shpifje, por deri më tani asnjë gjykatës nuk kishte marrë guximin për ta dënuar.

Berisha deri më tani ia kishte hedhur paq me pretendimin se si politikanë që është deklaratat e tij janë politike ndaj nuk mban përgjegjësi ligjore si çdo qytetar i thjeshtë. Por në rastin e gazetarit Bollino, avokati Aranit Roshi ka provuar para gjykatës se këtu nuk kemi të bëjmë me një betejë politike. Carlo Bollino duke qenë prej 26 vjetësh në Shqipëri në rolin e gazetarit dhe botuesit, vërtet është një person publik por nuk është politikan, ndaj dhe akuzat e pabazuara të bëra në publik nga Sali Berisha drejt tij ishin shpifje ndaj një qytetari të thjeshtë.

Recommended