Report TV - Bien akuzat për trafik droge, Tahiri dënohet për shpërdorim detyre: 3 vite në provë
  • 5 years ago
TIRANE -  Bien të gjitha akuzat për trafik droge në bashkëpunim dhe grup të strukturuar kriminal mbi të cilat Prokuroria kërkoi që ish-ministri i Punëve të Brendshmë të dënohej me 12 vite heqje lirie; Saimir Tahiri nuk do të bëjë asnjë ditë burg! Pas dy vite hetime, nga nëntori i 2017-ës, Gjykata për Krime të Rënda rrëzon të gjitha akuzat e ngritura ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe e dënon vetëm për shpërdorim detyre, një vendim prej të cilit, ai nuk do të bëjë asnjë ditë burg!

Pas një seance maratonë ditën e sotme, të nisur prej orës 09:00 të mëngjesit, Gjykata e dënoi Tahirin me 5 vite burg për këtë akuzë të re që në gjuhën juridike quhet, kualifikim i veprës penale: Shpërdorim të detyrës. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3.4 vite burgim. Edhe këtë dënim, gjykata vendosi ta konvertojë në 3 vite shërbim prove, periudhë në të cilën ish-ministri nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale. Po ashtu, për 5 vite, ish-ministri Tahiri nuk duhet të ushtrojë funksione publike.

Por teksa ish-ministri nuk do të bëjë asnjë ditë burg, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela u dënua nga gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vite burg, që ulet në 3.4 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin prej 12 vitesh burgim (që zbriste në 8 për shkak të gjykimit të shkurtuar), duke e akuzuar ish ministrin për tre vepra të rënda: "Trafikimi i narkotikëve?, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, ? Grupi i strukturuar kriminal?, ?Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal. Por gjykata rrëzoi këto akuza, duke vlerësuar se nuk kishte prova që të mbështesnin këto akuza, por se ato ishin të mjaftueshme për ta dënuar zotin Tahiri për shpërdorim detyre.

Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës, në analizë të të gjitha provave të paraqitura nga Prokuroria, nuk rezulton asnjë fakt, që ta përfshijë ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kryetari i të cilëve është Mojsi Habilaj, i arrestuar dhe në gjykim në Itali. Po ashtu, thotë gjykata në arsyetimin e saj, pas përgjimeve edhe të prokurorisë italiane ku Habiljat diskutojnë për dhurata që do ja japin ministrit, çmohet fakti se nuk ka prova të mjaftueshme për t'i lidhur këto dhurata apo shuma monetare se do të shkonin tek Tahri.
Recommended