Tiranë, atentat me kallashnikov dy të vrarë, mes tyre një vajzë

  • 9 years ago
TIRANE - Plumbat e kallashnikovit kanë marrë mbrëmjen e së enjtes dy jetë, të një vajze rreth të tridhjetave dhe të një djali të ri 23-vjeçar, një person i tretë mbeti i plagosur, ndërsa një tjetër vajzë shpëtoi fatmirësisht pa asnjë lëndim pasi mundi të largohej në kohë sapo dëgjoi të shtënat e para.

Tirana u trondit nga breshëria e 7 plumbave të kallashnikovit rreth orës 20:00 në mes të qytetit pas lulishtes ?1 Maji?, të cilat u derdhën drejt makinës BMW seria 5 ku udhëtonin Elvis Gaçaj 40 vjeç (drejtuesi), dy viktimat Aurora Oskyan me banim në Tiranë (pasagjere në sedijen e parë) e Kevin Rugova 23 vjeçar, si dhe një vajzë me inicialet E.Gj e cila i ka shpëtuar për mrekulli plumbave. Policia ende nuk ka një emër të personit të dyshuar.

Sipas policisë, makina BMW (ngjyrë gri me targat AA 675 JS) ishte në pronësi të vajzës që arriti të dilte nga automjeti dhe t?i shpëtonte plumbave. Dy pasagjerët Aurora dhe Kevin gjerën vdekjen e menjëhershme si pasojë e plumbave të marrë, ndërsa shoferi Elvis Gaçaj u transportua me urgjencë në spitalin e Traumës nga kalimtarë të rastit dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. 23-vjeçari Kevin Rugova, sipas policisë ka tentuar të dalë nga makina dhe plumbat i ka marrë pikërisht pranë derës. Vajza me inicialet E.Gj është shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e saj mbi ngjarjen.

Është ende e paqartë për policinë se kush ka qenë shënjestër e këtij atentati i cili dyshohet se është kryer nga një person i vetëm. Kjo pasi shumica e plumbave janë në krahun e vajzës Aurora Oskyan. Por precedentët e të plagosurit Elvis Gaçaj ngrenë dyshimet se ka qenë pikërisht ai objektiv i atentatorit. Gaçaj është dënuar më parë për vrasje dhe plagosje. Dyshohet se atentati ndaj tij mund të jetë për hakmarrje ose për prishje të pazareve të drogës.

Burime nga policia thanë për Shqiptarja.com se në vendin e ngjarjes janë gjetur një sasi gëzhojash nga dy armë të ndryshme. Grupi hetimor dyshon se i plagosuri Elvis Gaçaj i është kundërpërgjigjur atentatorit duke e qëlluar me pistoletë që kishte në makinë, por pa arritur ta godasë autorin. Në makinë janë gjetur disa gëzhoja automatiku, ndërsa disa metra më larg janë gjetur gëzhoja pistolete.

Po të njëjtat burime sqaruan më tej se autori ka qëlluar me kallashnikov nga parmakët e një ndërtese dhe më pas është larguar menjëherë prej andej. Në hyrjen e pallatit, policia gjeti dhe sekuestroi edhe një batanije me të cilën autori kishte mbështjellë armën, e cila është dërguar në laborator për të parë nëse mbi të kanë ngelur shenja gishtash që mund të çojnë në identifikimin e autorit.

Recommended