Ndryshon Kodi Penal, deri në 15 vjet burg kush dëmton objektet, ndërton jashtë standardeve e pa leje

  • 3 years ago
Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e Kodit Penal, për kriminalizimin e çdo veprimi të paligjshëm në fushën e ndërtimit. Nisma ligjore shton dy nene të reja në Kodin Penal, duke parashikuar deri në 15 vjet burg për personat që dëmtojnë me dashje ndërtesa, objekte publike, vepra industriale, vepra të infrastrukturës dhe çdo objekt tjetër që mund të rrezikojë jetën ose shëndetin e njerëzve për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme. Shkatërrimi i plotës ose i pjesshëm i çdo objekti do të dënohet me gjobë ose me burg deri në 5 vite. Kur nga ndërhyrjet e paligjshme kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënimi do të jetë nga 5 deri në 10 vjet burg. Kur shkaktohen pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, dënimi do jetë nga 7 deri në 15 vjet burg.

Kush ndërton jashtë standardeve do të përfundojë në burg. Konkretisht, projektimi, mbikëqyrja, zbatimi dhe kolaudimi i punimeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin, standardet dhe lejen, kur më parë janë marrë masa administrative, dënohet me burg nga 1 deri në 5 vjet. Nxitja e projektuesit, mbikëqyrësit, zbatuesit dhe kolauduesit për shkeljen e rregullave, do të dënohet nga 1 deri në 5 vite burg. Kur nga këto veprime vijnë pasoja të rënda materiale, siç ndodhi pas tërmetit 26 nëntorit 2019, personat përgjegjës do të dënohen nga pesë deri në 10 vjet burg. Kur nga ndërtimi i paligjshëm vijnë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, siç ndodhi në Thumanë dhe Durrës, dënimi do të jetë nga 7 deri në 15 vjet burg.

Recommended