Rishikimi i buxhetit pengoi dislokimin e ASK-së
  • 4 years ago
Agjencia e Sigurisë Kombëtare ose DSK-ja e vjetër ende fizikisht është pjesë e MPB-së. Edhe pse vitin e kaluar, njoftimet ishin se "policia sekrete" do të lëvizte jashtë oborrit të ministrisë, ky proces tani është ndalur. Ne e pyetëm Qeverinë pse agjencia nuk është zhvendosur në ndërtesën e fabrikës së vjetër të duhanit siç ishte planifikuar?




 Qeveria

 "Sa i përket pyetjeve tuaja, dëshirojmë të theksojmë se Agjencia e Sigurisë Kombëtare nuk është transferuar ende në hapësirat e reja."

Jozyrtarisht arsyeja pse ASK-ja fizikisht nuk është ndarë nga MPB-ja dhe ende është në oborrin e MPB-së, është kriza me virusin korona dhe buxheti i shkurtuar me rebalancin që u bë në maj. Shpërngulja mund të pritet ka fundi i vitit ose kur të formohet qeveria e re. Para rebalancit të buxhetit Agjencia ka pasur në dispozicion 7.5 milionë euro. Me rebalancin janë shkurtuar më shumë se gjysmë milion euro dhe për të shpenzuar kanë edhe 6.9 milionë. Paratë për ASK janë zvogëluar në disa pika, mes tjerash edhe për objektin ndërtimor për çka ishin planifikuar 1 milionë euro dhe me shkurtimin që u bë tani për këtë qëllim kanë 500 mijë euro. ASK me ligj u formua më 1 shtator të vitit të kaluar me kombinimin e disa ligjeve-Ligji për ASK, ligji për ndjekjen e komunikimeve elektronike, në bazën e së cilës u formua edhe Agjencia Operative Teknike dhe Ligji për koordinimin e shërbimeve të zbulimit dhe kundërzbulimit. Reformat në shërbimet e sigurisë erdhën pas vërejtjeve të ekspertit Rajnhard Pribe i cili para 5 vjetësh kishte vërejtur keqpërdorime në DSK-në e shpërbërë tashmë përmes sistemit të përgjimit dhe përqendrimin e pushtetit në këtë institucion.

Bojna Stojanovski
Recommended