2 orë takim s'bindin opozitën e re për 'Zgjedhoren'/ Rama: Bashës i thashë 'bëje si të duash'
  • 4 years ago
TIRANË- Në rreth dy orë takim,  kryeministri Edi Rama nuk ka mundur që të bind opozitën e re që të votojë në Kuvend marrëveshjen për Reformën Zgjedhore, me këta të fundit që nuk heqin dorë nga 2 kushtet e tyre, ndryshimi i sistemit dhe depolitizimi i administratës zgjedhore. Duke thënë se i mirëkupton kërkesat e tyre, madje se do kishte dashur shumë që marrëveshjen për 'Zgjedhoren' ta bënte me ta dhe jo me PD-LSI, kreu i qeverisë theksoi se "negociatat" do të vijojnë me takime të tjera. Rama foli edhe për presione që po i bëhen nga PD-LSI, opozitës në parlament.

"Më vjen keq që dëgjova akuza edhe për tentativa blerjeje apo influenca jo korrekte mbi deputetët. Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë, por edhe në adresën tonë, por unë i sigurova që nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhjeje ku thjesht do kërkojmë aritmetikën, por në rrugën e një diskutimi për të krijuar kushtet e një dakordësie dhe në asnjë mënyrë nuk do përdorim dhe nuk kemi përdorur asnjëherë", tha Rama në përfundim të mbledhjes. Pyetur nga gazetarët, se si ia doli që të binte kryedemokratin Lulzim Basha dhe jo opozitën e re, kryeministri u përgjigj me ironi.

"Basha unë i thashë "bëj si të duash", ndërsa po t'i them të njëjtën gjë edhe Murrizit i bie të kemi dy Kode të ndryshme, ku zhvillohen dy zgjedhje, me gjithë respektin për Murrizin", shtoi Rama. Ai hodhi sërish topin në fushën e Bashës, duke e ftuar që të bashkojnë forcat që Reforma Zgjedhore të marrë votat e duhura në parlament. "Mbase do ishte e udhës që Lulzim Basha të futej në këtë proces dhe të bënte një komunikim me ata që i ka sjellë ai në parlament se në fund të ditës nuk është si të thuash mëkat, dhe të bashkojmë forcat për t'i dhënë një zgjidhje një situate që nuk është e lehtë", tha Rama.

Faktin që opozita e re kanë pasur presione nga PD-LSI, e la të nënkuptuar edhe kreu i grupit demokrat parlamentar, Myslim Murrizi. "Nuk zgjati aq shumë se ne nuk jemi deputet apo pjesë ne tavolinë që mund të gënjeni, ta harroj Rama që mund të kalohet një sistem Zgjedhor me vota të trafikuara, nuk tërhiqemi nga kërkesat tona dhe do t'i institucionalizojë. Trafikimi është bërë edhe aset i partive të tjera të Këshillit Politik që kanë interes që kjo Reformë të kalojë", tha Murrizi.
Recommended