Zbulohet takimi i Çilit me drejtuesin e organit të lartë të drejtësisë

  • 4 years ago
TIRANË - Dy janë rastet kur Henri Çili dyshohet se ka marrë përsipër të ndikojë tek autoritetet e drejtësisë. Për lirimin e dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, Arbjon Alikos për vrasjen e efektivit të RENEA-s në 2015 në Lazarat dhe Feti Yzeiraj për vrasjen e Shefo Durajt, në shenjë hakmarrje pasi babai i tij, Llane Duraj i kishte vrarë gjyshin në '68-ën. Të dy këta të dënuar me vendim të formës së prerë në Gjykatën e Apelit, kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe relator kanë Ardian Dvoranin, si të vetmin gjyqtar të mbetur, e që aktualisht është kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Por, rezultati i parë që Henri Çili ka arritur të marrë - sipas prokurorisë - është garancia e nje gjyqtari, drejtues të një organi të lartë të drejtësisë, se dy dosjet që ai kishte ndikuar për dy të dënuar përjetësisht, do të shikoheshin me prioritet në 50 të parat në stokun e 35 mijë dosjeve që preson shqyrtim derisa gjykata të bëhet funksionale. Prokuroria ka përgjuar një takim të 14 janarit 2020 mes Çilit dhe këtij funksionari të drejtësisë, emri i të cilit çuditërisht nuk jepet në dosjen paraprake të organit të akuzës, por që pritet të shpaloset si provë gjatë seancës në Gjykatën e Përmetit. Ka shumë hipoteza për emrin e tij, por i vetmi emër i përfolur deri më tani, është Ardian Dvorani. Vetë ai mohoi të jetë takuar me Çilin, duke pohuar se ka njohje por se janë përshëndetur rastësisht kur kanë qenë në evente të përbashkëta. Dvorani, i cili njëherësh është kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, tha se nuk është bërë asnjë përpjekje nga ana e tij për të përshpejtuar shqyrtimin e ndonjë dosje në Gjykatën e Lartë. Megjithatë, ai nuk mohoi që ndonjë tentativë për shqyrtimin me përparësi të dosjes së vëllezërve Aliko të mos ketë ndodhur nga ndonjë person tjetër, kur u shpreh se "Duhet të jetë ndonjë spekulim, unë uroj që kjo gjë të mos ketë ndodhur"...por mohoi në mënyrë kategorike që të jetë ai i përfshirë: "Në rastin tim nuk bëhet fjalë, është kategorike", theksoi ai.

Recommended