Sulmi i Metës ndaj paketës Anti-KÇK/ Hyseni: Sa herë 'egërsohet' presidenti, është i frikësuar

  • 4 years ago
TIRANE- Deputeti socialist Alket Hyseni ka ironizuar deklaratën e presidentit Ilir Meta i cili quajti ligjin e miratuar ditën e djeshme në Kuvend që i merrte atij tij të drejtën e betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si 'Krye KÇK. Hyseni tha se nuk është shqetësimi i mazhorancës se çfarë mendon presidenti, ndërsa shtoi se sa herë egërsohet, do të thotë se është i frikësuar.

"Nuk është shqetësimi jonë se çfarë mendon presidenti. Në këtë luftë e dimë që do ketë shumë njerëz që nuk janë dakord dhe janë të frikësuar në palcë. Disa prej tyre kanë përdorur edhe opozitën e rrugës. Ne nuk mund të rrinim duarkryq kur gjyqtarë dhe prokurorë po shfrytëzojnë orët e fundit në detyrë. Kjo është anti-KÇK e famshme. Atë që e kanë bërë spontanisht në 30 vite, në orët e tyre të fundit po e bëjnë pa skrupuj. Ne nuk mund të presim procedurat normale që mund të zgjasin edhe një vit. Nuk mund të rrimë duarkryq. Pasi kemi bërë një analizë të thellë dhe konsultën më të mirë të mundshme, duke iu referuar edhe komisionit të Venecias, arritëm në këtë draft. Ne nuk jemi në kushte ideale dhe ne do të donim që për shumë gjëra të kishim edhe opozitën por ja që jemi në kushte shqiptare. Ne na ka rënë për pjesë misioni për ta çuar përpara. A egërsohet presidenti, nuk e mbajmë ne përgjegjësinë. Unë e di sa herë egërsohet presidenti është i frikësuar. Unë nuk komentoj asnjë deklaratë. Unë jap mendimin tim", tha Hyseni.

Recommended